Dogana dhe Policia e Kosovës zbulojnë substancë të dyshuar narkotike në Vërmicë

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për kontroll një automjet në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të detajuar është gjetur substancë e dyshuar narkotike.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, automjeti drejtohej nga një shtetas i një vendi fqinj dhe është përzgjedhur për kontroll gjatë procedurave rutinore kufitare.

“Gjatë kontrollit të detajuar, të realizuar në vijën e dytë të kontrollit, në çantën e krahut të udhëtarit është gjetur një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe një sasi tjetër e substancës së dyshuar, e gjetur brenda një kutie metalike”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas zbulimit të substancës, personi është ndaluar dhe arrestuar nga autoritetet kompetente, ndërsa rasti është dorëzuar për procedim të mëtejshëm, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Dogana e Kosovës ka theksuar se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente do të vazhdojë në funksion të kontrollit kufitar dhe parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme.

“Dogana e Kosovës, në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, trafikimit të substancave narkotike dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme në kufi”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve, kontrollet dhe veprimet e përbashkëta synojnë forcimin e sigurisë kufitare dhe mbrojtjen e interesit publik. /RTKlive

Read Previous

​Erblin Osmani shkruan histori me Kosovën: Ëndrra ime u bë realitet

Read Next

Mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës