Një protokoll mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e emigrantëve, duket se po kthehet në gjithnjë e më të pranuar nga vendet e Bashkimit Evropian dhe po krijon edhe një mundësi diskutimi për atë çfarë mund ta formësojë procesin e emigracionit brenda kontinentit të vjetër.
Përtej gjithë kritikave dhe problematikave të zbatimit, duke se më shumë evropiane po e cilësojnë si një shëmbëlltyrë të mirë kornizën e arritur mes Tiranës dhe Romës.
E fundit, Danimarka, e cila paraqitet mbështetëse e atij që mund të cilësohet si “modeli shqiptar”, duke marrë edhe rëndësi të veçantë, në kushtet kur Kopenhageni sapo ka marrë Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Nga pala daneze, ishte ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, ajo e cila e vlerësoi modelin si një precedent që mund të merret parasysh.
“Emigrimi i parregullt është një dosje shumë e rëndësishme për ne. Ne gjithmonë kemi pasur lidership politik në këtë. Ne do të punojmë mbi konceptin e vendeve të sigurta brenda direktivës së riatdhesimit. Nuk mund të lejojmë që flukset e parregullta të dobësojnë kohezionin evropian”.
Kështu tha ajo në një konferencë për shtyp me disa gazeta evropiane, me rastin e fillimit të presidencës daneze.
Sipas Bjerre, BE-ja do të ketë një koncept të ri të vendeve të sigurta dhe mbështeti hapur rastin e modelit shqiptaro-italian, si një model praktik për të arritur qëllimet e Unionit.
Ajo nuk specifikoi nëse Shqipëria vetë do të ishte në bisedime për këto kampe potenciale të trajtimit të emigrantëve, edhe pse kryeministri Edi Rama, gjithnjë e ka quajtur Italinë një përjashtim të veçantë dhe nuk ka lënë asnjë derë të hapur për bashkëpunim me vendet e tjera rreth kësaj çështjeje.
Teksa, Bjerre, modelin, e sheh tashmë edhe si një potencial evropian.
“Unë besoj se kjo duhet të bëhet në nivel evropian. Rregullat ndërkombëtare – theksoi më pas ajo – nuk duhet t’i mbrojnë emigrantët më shumë se sa mbrojnë qytetarët evropianë”.
Kështu, duke vulosur qartë mendimin se BE-ja do të jetë e implikuar me koncepte të tilla si korniza e trajtimit të emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pyetjet e vetme që shtrohen janë ku, dhe me kë? /Albanianpost.com