Zbulohet shifra e majme që nevojitet për të shpëtuar Lyon-in

Lyon është në vështirësi. DNCG, organi i kontrollit financiar të futbollit francez, ka vendosur ta zbresë klubin në Ligue 2 për shkak të problemeve financiare.

Tani, për të shpresuar të qëndrojë në Ligue 1, klubi duhet të gjejë 200 milionë euro para seancës dëgjimore të apelit të planifikuar për 10 korrik.

Sipas francezes “L’Equipe”, 100 milionë duhet të derdhen menjëherë në arkën e klubit, ndërsa 100 të tjerat duhet të garantohen si mbulim financiar për të gjithë sezonin e ardhshëm.

Një shumë e madhe për t’u gjetur në më pak se një javë.

Presidentja e re Michele Kang, së bashku me menaxherin e përgjithshëm Michael Gerlinger, po kërkojnë zgjidhje konkrete për të shpëtuar klubin.

Ndërkohë, ish-presidenti John Textor ka paraqitur një ankesë, duke theksuar se “Eagle Football Holdings”, kompania që zotëron Lyon-in, ka kontribuar tashmë 83 milionë euro në likuiditet.

Klubi ka nisur gjithashtu një plan për uljen e kostove, duke përfshirë shkurtime të stafit dhe shitje strategjike.

Largimet, ose transferimet e ardhshme, të lojtarëve si Lacazette, Tagliafico, Lopes, Caqueret dhe Cherki kanë ulur faturën e pagave me rreth 30 milionë euro. Por për DNCG-në, këto masa janë ende të pamjaftueshme.

Qëllimi është të ulen pagat totale në 75 milionë euro, një prag që mund të çojë në kufizime të mëtejshme, edhe në rast të ripranimit në Ligue 1.

Në llogari peshojnë edhe 19.5 milionë euro në detyrimet e shpengimit për tre lojtarë aktualisht të huazuar.

Në zemër të problemit, sipas burimeve pranë dosjes, do të ishte edhe shpërndarja e brendshme e burimeve nga “Eagle Football”, e cila kontrollon disa klube në Evropë. Autoritetet po kërkojnë sqarime mbi origjinën dhe ndarjen e fondeve.

Koha po mbaron dhe presioni është shumë i lartë: pa një plan të besueshëm dhe 200 milionët e kërkuar, Lyon-i rrezikon t’i thotë lamtumirë Ligue 1. /Albanianpost.com

Read Previous

Ballkani Perëndimor përballet me thatësirë të madhe dhe kufizime të ujit gjatë valëve të të nxehtit

Read Next

Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, gjithnjë e më i vlerësuar nga BE-ja