​Rrëfime për 2 korrikun – Kthesa e madhe historike për Kosovën

Ballina e gazetës «Rilindja» 3 korrik 1990

Korrik 1990, dita e dytë e muajit. Rreze të forta dielli. Delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, të rrethuar me kordon nga policia serbe, po shënonin kthesë historike për shqiptarët.

Qytetarë shqiptarë kishin dalë në mbështetje të tyre.

Atë ditë u miratua Deklarata Kushtetuese dhe Kosova u shpall njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Dokumenti u bë baza ligjore e rrugëtimit drejt pavarësisë së plotë.

Mbledhja po mbahej jashtë ndërtesës së Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Muharrem Shabani kishte mbërritur në Prishtinë, nga Vushtrria, tri ditë para 2 korrikut. Donte të evitonte çdo pengesë që mund t’i bëhej për të qenë prezent në atë ditë historike.

Shabani, i cili është ish-delegati i cili e lexoi Deklaratën Kushtetuese, sjell rrëfimin e tij 35 vjet më vonë, në një intervistë për KosovaPress.

Mbledhja e udhëhequr nga Bujar Gjurgjeala kishte nisur në ora 12:00, nën rrezet e forta të diellit të korrikut.

“E shikojmë si një ngjarje që ka shprehur vullnetin e popullit të Kosovës në atë kohë në aspektin politik, juridik, që Kosova të ketë një status tjetër fare me atë që ishte atëherë. Bile atëherë ajo autonomi që ishte me kushtetutën e Jugosllavisë në vitin 74’ nga regjimi serb u suprimua në mënyrë të kundërligjshme”, thotë ai.

Ish-delegati i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Shabani thotë se “Kosova, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut e kishte shpallur pavarësinë”.

“Nuk kam ndie ndonjë frikë të caktuar, natyrisht ka qenë ajo, ka qenë një unitet i kolegëve dhe kolegeve, nuk ka pas dallim, të gjithë kanë marr pjesë në atë mbledhje të 2 korrikut, të gjithë më kanë dhënë mbështetje dhe atë akt e kemi kryer ashtu siç ishte e paraparë… Nëse e shikojmë nga aspekti juridiko-kushtetues është akti i parë me të cilën është shpallur pavarësia e shtetit të Kosovës… Ishte institucion legjitim që e kishte shpallur, nuk ishte shpallur as tek arra e as tek prroi, por ishte shpallur tek Kuvendi, ndonëse dyert ishin të mbyllura, snajperistët shiheshin sepse ishin mbi ndërtesën e qeverisë. Më kishin sjell një karrige për të lexuar, unë nuk e pranova, thash në këmbë do ta lexoj se është një akt me rendësi, nëse është shkruar të vdesim, të vdesim për këtë akt të gjithë së bashku”, thotë Shabani.

Ky akt përfaqësonte më shumë se një deklarim politik, ishte thirrja e një populli për dinjitet, liri dhe vetëvendosje.

Sot, 35 vjet pas, nga delegatët e atij Kuvendi, kjo Deklaratë kujtohet jo vetëm si një dokument, por si një “gur i shenjtë në themelet e shtetit tonë”.

Sipas tyre, deklarata i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut dhe shënoi një kthesë historike drejt lirisë dhe pavarësisë së shumëpritur.

Kësaj deklarate i kishte parapri rezoluta e Akademisë së Shkencave të Kosovës, e cila përcaktonte pozitën kushtetuese-juridike të Republikës së Kosovës.

Menjëherë pas caktimit të datës, autoritetet serbe në Kosovë tentuan ta pengonin këtë mbledhje, duke dërguar një telegram për shtyrjen e saj. Megjithatë, delegatët shqiptarë nuk u tërhoqën dhe më 2 korrik shpallën Deklaratën Kushtetuese.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Ilaz Ramalija, në një rrëfim për KosovaPress tregon momente të asaj dite të rëndësishme për Kosovën.

“Më 2 korrik, rreth orës 08:00, në ndërtesën e Kuvendit u futën njësitë speciale që quheshin federative, që fakt ishin njësitë speciale të Serbisë u futën në ndërtesë dhe e bllokuan thuajse çdo kat dhe kryetari i Kuvendi i cili ishte në zyrë në atë kohë urdhëroi shërbimin e Kuvendit i cili ishte një pjesë shqiptare, kishte edhe serbë aty, dhe e mbylli derën për t’ua ndaluar delegatëve për të hyrë në sallë… Delegatët u mblodhën para hyrjes së Kuvendit – pjesa prapa jo hyrja zyrtare dhe aty prisnim të fillonte mbledhja. Paraprakisht deklarata kushtetuese iu ishte dhënë delegatëve, tekstin e deklaratën e kishte shkruar Gazmend Zajmi… Ka qenë ditë me diell delegatët ishin të rrethuar me kordon policie, ndërkaq pas kordonit të policisë ishin mbledhur një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve të cilët jepnin përkrahje për delegatët dhe kërkonin që policia të mos intervenojë”, tha ai.

Ramalija beson se pa Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut nuk do të ndodhte as shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 2008.

“Fiks në ora 12:00, Bujari, pasi ishin mbledhur nënshkrimet prej të gjithë delegatëve sepse kishim frikë se mos ndërprehej mbledhja me dhunë dhe donim me çdo kusht që ta publikonim deklaratën kushtetuese si vullnet të delegatëve të Kuvendit, i kishin mbledhur nënshkrimet dhe në ora 12:00, Bujari filloi me mbledhjen, ajo shkoi krejt në rregull, u morën vendimet që ishin në rend dite dhe Muharremi e lexoi deklaratën kushtetuese me atë zërin e tij kumbues… Deklarata kushtetuese e 2 korrikut është bazë mbi të cilën u nxorën të gjitha aktet tjera që e sendërtuan vullnetit e popullit për liri dhe pavarësi, të cilat shpreheshin përmes tubimeve të panumërta. Ishte një element që definonte të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje e cila ishte e garantuar edhe me aktet ndërkombëtare. Deklarata e 2 korrikut shërbeu më vonë si bazament për nxjerrën e Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator, mbajtjen e referendumit në vitin 1991 për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur dhe krijimin e institucioneve të pavarura shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj… Pa ekzistencën dhe momentin e nxjerrjes së deklaratës kushtetuese të 2 korrikut, unë besoj që nuk do të kishim një shpallje të pavarësisë në vitin 2008”, deklaroi Ramalija.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 përbën një nga aktet më të rëndësishme të rezistencës politike të Kosovës ndaj regjimit serb, dhe një hap themelor në rrugën e saj drejt pavarësisë. /KosovaPress/

Read Previous

Që dy orë në takim, Osmanit e Kurtit në takim iu bashkohet edhe ambasadorja amerikane

Read Next

Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit