Kosova ka rrëmbyer dy medalje elitare në Kampionatin Botëror të Xhudos që u zhvillua në Budapest të Hungarisë, raporton KosovaPress.
Distria Krasniqi u stolis me medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu rrëmbeu të bronztën, derisa pa medalje mbeti xhudisti Akil Gjakova.
Për këtë sukses ka shkruar edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se me këto dy medalje, Kosova e mbyll këtë kampionat me sukses dhe e çon në 10 numrin total të medaljeve botërore, dyfishi i atyre olimpike.
Postimi i plotë i Kurtit në ‘Facebook’:
Dy vajza, dy podiume, një ekip që vazhdon të na bëjë krenarë.
Pas suksesit të Distria Krasniqit me medaljen e argjendtë, Laura Fazliu siguroi edhe një medalje për Kosovën në Kampionatin Botëror të Xhudos. Kjo është medalja e dytë botërore e Laurës. Me qetësi dhe vendosmëri, ajo u ngjit sërish në podiumin e shkëlqimit, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe forcën e kampionëve tanë.
Me këto dy medalje, një të argjendtë dhe një të bronztë, Kosova e mbyll këtë kampionat me sukses dhe e çon në 10 numrin total të medaljeve botërore, dyfishi i atyre olimpike.
Urime Laurës, Distrias, trajnerit Driton Kuka, Federatës së Xhudos dhe tërë komunitetit sportiv!/KosovaPress