Pas dështimit të 20-të të konstituimit të Kuvendit, shoqëria civile dhe njohësit e politikës e cilësuan këtë dështim si një pasqyrim të papërgjegjshmërisë nga partitë politike, të cilat nuk po tregojnë shenja ndryshimi në qëndrimet e tyre.
Për të njëzetën herë, deputetët e legjislaturës së nëntë, dështuan në përpjekjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas politologëve, dalja nga kjo bllokadë nuk duket afër, pasi nuk ka shenja nga partitë politike për ndryshim të qëndrimeve.
“Dështimi për të 20-tën herë është dështim i spektrit politik, është dështim nga papërgjegjësia që të njëjtit kanë përballë qytetarëve, të cilët u kanë dhënë besimin, përgjegjësia ndahet sipas peshës politike që e kanë marrë nga zgjedhjet, duke nisur nga partia e parë dhe duke e shpërndarë edhe tek të tjerat, partitë e opozitës së deridjeshme, të cilat nuk pandehin që të ulen dhe të bashkëbisedojnë edhe të gjejnë një kompromis, kush më shumë e kush më pak, për të dalë nga ky ngërç”, tha Argjend Zejnaj, politikolog.
Të shqetësuar për vazhdimin e ngërçit politik janë shprehur edhe nga shoqëria civile.
Një grup i organizatave joqeveritare kanë reaguar, duke thënë se kriza institucionale që ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit.
“Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën”, thuhet në reagim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të kthehen në sallë sërish të dielën, për të provuar edhe njëherë konstituimin e Kuvendit. /RTK/