Ministrat e BE-së pajtohen rreth planit për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë

Photo: Daina Le Lardic – EC Audiovisual Services / ©European Union, 2024.

Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një plan rreth lehtësimit të sanksioneve ndaj Sirisë, tha të hënën shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“Përderisa ne synojmë që të lëvizim shpejt, heqja e sanksioneve mund të kthehet prapa, nëse bëhen hapa të gabuar” – paralajmëroi zyrtarja e lartë evropiane.

BE-ja ka në fuqi një varg sanksionesh, në shënjestër të të cilave janë individë dhe sektorë të ekonomisë në Siri, përfshirë ndalimin e eksportit të naftës siriane dhe kufizimet në qasjen në kanale financiare globale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sidoqoftë, kryeqytetet evropiane filluan që ta rivlerësonin qasjen e tyre, pasi presidenti Bashar al-Assad u rrëzua nga pushteti në dhjetor nga forcat kryengritëse të udhëhequra nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Qeveritë te vendeve të BE-së duan që ta ndihmojnë fillimin e rimëkëmbjes së Sirisë, por shumë shtete gjithashtu kanë theksuar se BE-ja duhet të marrë një qasje graduale dhe të kthyeshme për ta ruajtur levën, përderisa po i inkurajon autoritetet e reja në Damask që t’i respektojnë të drejtat themelore dhe të zbatojnë politika gjithëpërfshirëse.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan al-Shibani, e mirëpriti lëvizjen e ministrave të vendeve të BE-së, duke e përshkruar atë në rrjetin X si “hap pozitiv”.

“Ne shpresojmë se ky vendim pasqyrohet pozitivisht në të gjitha aspektet e jetës për popullin sirian dhe siguron zhvillim të qëndrueshëm” – shtoi ai.

Para takimit të së hënës, diplomatët e 27 vendeve të BE-së e rekomanduan marrjen e masave të shpejta drejt pezullimit të kufizimeve në sektorë si energjia dhe transporti.

Zyrtarët tani do të punojnë rreth hollësive teknike për lehtësimin e sanksioneve, para se pezullimi i tyre të mund të miratohet ligjërisht. /Nacionale

Read Previous

Elon Musk sjell një tjetër ide revolucionare

Read Next

Mbi 300 mijë palestinezë kthehen në veri të Gazës