Shqipëri/ Nga zonat e mbrojtura, tek ekoturizmi, projektet që mbështeten nga buxheti 2025 për turizmin

Shqipëria vitet e fundit ka shënuar një “bum” turistik, ndërkohë që paralelisht janë rritur edhe të ardhurat nga ky sektor.

Ky zhvillim i turizmit është rezultat edhe i mbështetjes së qeverisë për këtë sektor me anë të buxheteve të akorduara për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Për vitin 2025 buxheti për MTM është 3,9 miliardë lekë dhe ka një rritje prej 7,9% krahasuar me atë të vitit 2024.

Buxheti i vitit 2025 krahasuar me buxhetin e vitit 2024 ka një rritje prej 7,9% ose 306 milionë lekë më shumë, kjo si rezultat i rritjes së pagave në bazë të politikave të qeverisë si dhe investimeve të brendshme me 173 milionë lekë.

Fondi i planifikuar për shpenzime korrente për vitin 2025 është 49 milionë lekë më shumë për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për të mbuluar shpenzimet në miradministrimin e zonave të mbrojtura.

Investimet e brendshme për vitin 2025 do të rriten me 19%, krahasuar me vitin 2024, ku dy janë investimet kryesore të MTM.

Ngritja infrastrukturore me theks ujor EKO-Park-Ulza, me një vlerë në total prej 523 milionë lekë, e ndarë në tre vite. Punimet kanë filluar që në 2024 ku janë parashikuar të investohen 200 milionë lekë dhe për vitin 2025.

Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale në Lumin Vjosa, me një vlerë në total prej 690 milionë lekë është një tjetër projekt i rëndësishëm që mbështet nga buxheti 2025. Po ashtu, do të zbatohen disa projekte të tjera në zonat e mbrojtura si kullat e vrojtimit, shtigjet malore, etj.

Viti 2025 do ta gjejë Shqipërinë edhe me një strategji të re kombëtare për vitin 2030. Në 2025 është parashikuar që të pajiset me sistemin e menaxhimit të këtij sektori industrial me një platformë të re, që quhet E-Visitors, ku sektori privat dhe publik do të deklarojnë të dhënat në kohë reale, për të menaxhuar më mirë sektorin.

Në fushën e mjedisit gjatë 2025 synohet sigurimi dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit, në dobi të brezave të sotëm dhe të ardhshëm, si dhe sigurimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të mbështesë bashkitë bregdetare për pastrimin e vijës së bregdetit gjatë periudhës 15 qershor-15 shtator 2025.

Po ashtu gjatë 2025 do të zbatohet rregullorja e re e menaxhimit të plazheve, ku sipas ndryshimeve ligjore lirohen rreth 675 parcela plazhesh, si edhe do të sanksionohet me ligj që në çdo 1000 metra, 300 metra do të jenë detyrimisht publike.

Ky model i shfrytëzimit të plazheve do të fokusohet tek e drejta për të shfrytëzuar më shumë hapësira publike, ose me një kosto minimale të menaxhuar nga bashkitë, me parimin kryesor se shezlongët nuk mund të jenë model biznesi në vetvete, por duhen parë vetëm si një aksesor shtesë i strukturava akomoduese.

Gjithashtu një vend të veçantë zënë investimet në fushën e menaxhimit të mbetjeve përmes programeve ndërkombëtare në bashkëpunim me partnerët.

Programi i SECO dhe KfW për menaxhimin e mbetjeve, i nisur këtë vit në Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë, do të shtrihet edhe në 2025 me mbështetjen e MTM-së.

Prioritetet për periudhën 2025-2027:

Diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar si një destinacion i denjë për të konkurruar globalisht;

Sigurimi e zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare, nëpërmjet ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik, me qëllim rritjen e turistëve të huaj;

Zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit duke promovuar produkte lokale;

Përdorimin e burimeve pyjore në mënyrë të qëndrueshme duke e kthyer në element qendror në vlerën e paketës turistike në bregdet, mal, historik e kulturor;

Rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura. /ATSH/

Rezultatet që synohen të arrihen gjatë periudhës 2025-2027:

  • Rritja e kontributit direkt që ka Turizmi në Produktin e Brendshëm Bruto;
  • Rritja e përpjesës së punësimit në sektorin e Turizmit ndaj totalit të të punësuarve në vend;
  • Rritja e numrit të bizneseve në sektorin e agriturizmit;
  • Diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor;
  • Arritja e përmirësimeve të matshme të cilësisë së ajrit sipas përcaktimeve në strategjinë kombëtare të ajrit;
  • Përmirësimi i performancës së menaxhimit të integruar të mbetjeve;
  • Rritja e sipërfaqes se zonave të mbrojtura në 24% deri në fund të vitit 2027;
  • Rritja e përqindjes së mbetjeve që shkojnë në landfille sanitare kundrejt mbetjeve të hedhura në venddepozitime të hapura në 69%,
  • Rritja në përqindje e mbetjeve të ricikluara në 19% në vitin 2027;
  • 67% e grave në fund të vitit 2027 informohen mbi ndryshimet klimaterike në zonat e mbrojtura;
  • Niveli i punësimit në sektorin e turizmit deri në 8.7% deri në vitin 2027;
  • Kontributi i Turizmit në PBB të shkojë në 33% në vitin 2027.

Read Previous

Polonia merr presidencën e BE-së

Read Next

Tradita e festimit të 1 janarit si fillimi i një viti të ri