Jose Mourinho raportohet se po kërkon një rikthim në Premier League, me ish-trajnerin e Chelseat dhe Manchester United të hapur për të marrë drejtimin e Newcastle.
Portugezi aktualisht është në krye të Fenerbahçes në Turqi, por shpeshherë ka shprehur pakënaqësinë e tij për situatën aty. Në deklaratën e fundit, 61-vjeçari u shpreh: “Askush jashtë vendit nuk dëshiron të shikojë ligën turke. Kush do të donte ta shikonte këtë ligë turke jashtë? Ata kanë Premier League, kanë ligën franceze, ligën gjermane, ligën portugeze, ligën holandeze. Pse duhet ta shohin këtë? Është shumë e zymtë, e errët, dhe ka një atmosferë të rënduar. Por ky është profesioni im dhe unë do të jap gjithçka për të, për klubin tim.”
Mbetet për t’u parë sa gjatë Mourinho do të qëndrojë në atë post. Sipas The Guardian, ish-trajneri i Real Madrid, Inter dhe Tottenham, është i etur të rikthehet në Angli. Ai ka kërkuar të mbahet i informuar për çdo mundësi të hapur te Newcastle, pasi Eddie Howe herë pas here përballet me pikëpyetje për të ardhmen e tij në atë klub.
Howe nuk ka asnjë synim për t’u larguar nga St James’ Park dhe shprehu kënaqësinë e tij për tre vitet që ka kaluar si trajner i Magpies: “Ndjehem mirë që jam ende këtu. Jam i kënaqur me progresin, por gjithmonë kërkoj më shumë. Nuk kemi arritur ende trofeun që kemi ëndërruar kur erdhëm, dhe kjo mbetet synimi ynë. Besojmë se mund të arrijmë gjëra të jashtëzakonshme dhe kjo është ajo që na motivon çdo ditë. Kualifikimi në Evropë përsëri është një nga qëllimet tona këtë sezon.”
Mourinho më herët është takuar me kryetarin e Newcastle, Yasir al-Rumayyan, në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, dhe raportohet se kanë mbajtur kontakte të rregullta. Mund të ndodhë që dera për një post drejtues në Tyneside të hapet nëse Howe nuk arrin të përmbushë ambiciet për trofe dhe një vend në top katër, që është objektivi i pronarëve. /GOAL.com/