“Mediat serbe përhapin lajme të rreme për Shqipërinë dhe Kosovën”

Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Dezinformimit, ka deklaruar gjatë mbledhjes së komisionit këtë të enjte të 26 shtatorit, se gjatë muajve gusht dhe korrik ka pasur ndërhyrje nga mediat serbe për të përhapur lajme të rreme.

Lidhur me këtë, Braçe ka sjell në vëmendje dy raste të publikuara në mediat shqiptare me burim informacioni të rreme nga Serbia.

Rasti i parë ka lidhje me mundësinë e pushtimit të Kosovës nga Serbia.

“Deklarata e lëshuar nga mediat serbe dhe tabloidet pranë qeverisë që kishin të bënin me mundësinë e pushimit të Kosovës nga Serbia.  Një zinxhir i tërë dezinformimi që mbërriti në Shqipëri. Duke implikuar Shqipërinë dhe shqiptarët e duke sjell shqetësim në rajon dhe brenda vendit”, ka bërë me dije ai.

Referuar fjalës së Braçes, lajme të tilla nuk kanë gjetur hapësirë në Kosovë, por kanë gjetur hapësirë në Shqipëri.

“Edhe pse burimi i informacionit ishte në Serbi dhe u përgënjeshtrua, këtu nuk pati as përpjekjen më të vogël për ta korrigjuar e jo më për ta fshirë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, rasti i dyti i përmendur prej tij lidhet me një deklaratë të presidentit të Serbisë, i pasqyruar nga mediat në Shqipëri.

“Një deklaratë e presidentit të Serbisë që kishte të bënte për monitorimin e territorit serb nga dron shqiptare. Edhe pse burimi ishte një portal serb në Kosovë i pa cituar nga mediat në Kosovë, por i cituar dhe përdorur si informacion gjerësisht nga mediat në Shqipëri, përfshirë atë online dhe audiovizive”, ka thënë ai.

“Element për të tërhequr klikime, por jo për të thënë të vërtetën”.

Braçe po ashtu ka thënë se gjatë muajit korrik dhe gusht turizmi ka qenë nën sulm nga grupe të posaçme keqdashëse të huaja për të larguar vëmendjen nga Shqipëria.

“Ngjarje që kanë ndodhur gjatë muajve korrik dhe gusht sjellin në vëmendje ekzistencën e fushatave dezinformuese veçanërisht në aspektin e sektorëve strategjikë të ekonomisë”,

“Turizmi ka qenë nën atak dhe është i verifikuar që grupe të posaçme të huaja keqdashëse kanë sulmuar faqet e njësive akomoduese në Shqipëri me qëllim largimin e vëmendjes dhe prenotimeve nga këto njësi akomoduese kohë pas kohe”, ka shtuar Braçe.

Komisioni i Posaçëm i Dezinformimit do të nisë javën e dytë të tetorit seancat dëgjimore me ekspertë që operojnë në fushat që mbulon ky komision përfshirë fushat e ekonomisë, proceset demokratike, medias dhe sigurisë kombëtare.

Sakaq, në mbështetje të punës së këtij komisioni do të jenë dhe ekspertë nga BE, Këshilli i Evropës dhe i OSBE-së që do të tregojnë praktikat e tyre.

Edhe këtë herë, anëtarët e opozitës nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e mbajtur në ambientet e kryesisë së Kuvendit. /Albanianpost.com

Read Previous

Shqipëria ftohet ta hapë kapitullin e parë në bisedimet për anëtarësim në BE

Read Next

Kryeministri Kurti i ftoi kompanitë kuvajtiane që të vijnë të investojnë në Kosovë