Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka bërë një deklaratë të rëndësishme lidhur me hapjen e Urës së Ibrit, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët pas Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2024”.
Ai ka theksuar rëndësinë e konsultimeve të ngushta të Kosovës me Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë para marrjes së vendimeve të mëdha.
Sipas tij, politika e jashtme e Shqipërisë ka si prioritet Kosovën.
Ministri ka thënë se Prishtina duhet të diskutojë çdo hap të rëndësishëm, si hapja e Urës së Ibrit, me vendet dhe organizatat që kanë kontribuar në krijimin e Kosovës si një shtet të lirë dhe të pavarur.
Ndër të tjera, Hasani ka bërë me dije se Shqipëria është gati për Konferencën e dytë Ndërqeveritare për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sa i përket qëndrimit të Greqisë dhe mundësinë për një bllokim prej saj, ai ka ravijëzuar se po punohet që pengesat politike të mos ndërhyjnë në agjendat teknike.
“Po punojmë që Konferenca e dytë Ndërqeveritare ta zhvillojmë në pak javët e ardhshme, jemi gati. Kemi qenë gati prej një viti”, ka treguar ai.
“Grup kapitulli i parë është i përfunduar, pret këtë mekanizëm për t’u cilësuar i hapur”.
Po ashtu ai ka thënë se Shqipëria është gati edhe për dy grup kapituj.
“Po punojmë që pengesat politike mos ndërhyjnë në agjendat teknike. Optimist për vjeshtën. Do ecim shpejt e pa ndalesë në rrugëtimin me fokus në BE”.
Sipas tij, rrugëtimi evropian i Shqipërisë shihet edhe me mbështetjen e Greqisë.
Sakaq, Hasani ka bërë me dije se po punohet për përgatitjen e një ligji të ri për shërbimin diplomatik.
Ligji për Shërbimin Diplomatik po krijon një dinamik të re që “ne kemi nevojë ta shohim në përfaqësimin e Shqipërisë” në arenën ndërkombëtare, ka thënë ministri.
“Për herë të parë vendoset një limit për mandatin, nga 3 vjet që ka qenë, bëhet 4”, me propozimin e ri.
Përmet propozimit të ri, “duam të ofrojmë sa më shumë shërbime për qytetarët dhe të jemi shumë të shpejtë në dhënien e këtyre shërbimeve”.
Një fokus tjetër është, sipas tij, shtimi i radhëve të diplomatëve edhe në institucione të tjera, jo me formatin klasik të këshilltarëve, por diplomat karriere që do të punojnë në një periudhë prej 2 vjet.
Referuar ministrit, kjo bëhet për të përdorur më të mirën e njerëzve që janë në dispozicion.
Një tjetër fokus është edhe rritja e hartës e angazhimit me konsullata në vende të tjera.
Hasani, në fjalën e tij, ka thënë se në tre ditë konferencë u vendosën piketat me ambasadorët. Dhe kjo vjen pasi Shqipëria është “e angazhuar në shumë iniciative ndërkombëtare”.
Po ashtu ministri ka rikonfirmuar mbajtjen në vitin 2025 të Komitetit Politik Evropian dhe në vitin 2027 mbajtjen e Samitit të NATO-s në Tiranë.
I pyetur se pse Kosova nuk kishte asnjë faktor politikë si përfaqësues, ai ka treguar se lidhet me arsye shëndetësore.
Hasani është ndalur edhe te hapja e ambasadës së Shqipërisë në Indonezi, për të cilën ka rënë dakord me Kosovën dhe do t’u vijë në ndihmë qytetarëve atje që kanë interes për të punuar në vendin tonë.
“Ne kemi rënë dakord që Shqipëria të hap ambasadën në Indonezi dhe Kosova në Malajzi. Në mënyrë që të mbulojmë që të gjithë atë zonë dhe mbi të gjitha do të shohim angazhimin e atyre personave në vendin tonë”, ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarët për skandalin e mbetjeve toksike, Hasani ka thënë se Ministria e Infrastrukturës ka qenë e qartë me atë që ka deklaruar.
“Jam i bindur që kjo çështje është qartazi e parë nga ana e qeverisë. Nuk dua të spekuloj mbi spekulime”, ka shtuar ai. /Albanianpost.com