Shqipëria vijon transformimin, sërish me rekord trafiku pasagjerësh nga Rinasi

Vijon trendi pozitiv i rritjes së numrit të pasagjerëve nga ajri. Shqipëria – një destinacion gjithmonë e më botërisht i njohur – është rritur me plot 259.4 % këtë tremujor të dytë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 (para pandemisë).

Të paktën kështu tregojnë shifrat zyrtare e raportit të fundit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI).

Ajo që vihet re është fakti që vendi yni është renditur i pari me ndryshimin më të lartë të rritjes së numrit të pasagjerëve. Kjo duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit, dhe jo vetëm.

Edhe tremujori i tretë nuk pritet t’u lërë vend surprizave në një kohë kur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u shënua një rekord sa i përket numrit të pasagjerëve.

Vetëm në muajin korrik numri i hyrjeve në Shqipëri i kaloi 1 milion dhe hynë më shumë pasagjerë se sa erdhën në të gjithë vitin 2013.

Kjo duke dhënë një tregues kuptimplotë të transformimit epokal të Shqipërisë turistike në harkun e një dekade, do të thoshte kryeministri Edi Rama.

Sipas shifrave në korrik të këtij viti në aeroport hynë 1.191.182 pasagjerë, ndërsa në korrik të 2023, 834.113 pasagjerë.

Në janar-korrik kanë hyrë 5.982 .066 pasagjerë, ndërsa në janar-korrik 2023 kanë hyrë 3.723.613 pasagjerë, pra shtatë-mujori i 2024 ka shënuar 1.113.908 hyrje më shumë.

Nga ana tjetër, gjatë muajit qershor në territorin e Shqipërisë kanë hyrë  1.9 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, ky tregues ka pësuar një rritje me 21,5 %, krahasuar me qershor 2023.

Rekordi 2023

Vitin që lamë pas, aeroporti i Tiranës trajtoi 7.26 milionë pasagjerë, 40 % më shumë se një vit më parë.

Operatori i aeroportit tashmë po punon për zgjerimin  në disa drejtime për të akomoduar një numër më të madh të pasagjerëve sidomos gjatë verës.

Shqipëria kapërceu 10 milionë turistë të huaj deri në fund të vitit 2023, një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022, sipas një deklarate të mëparshme të ministrisë së turizmit.

Parashikimi i ACI-së

Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

ACI ka publikuar edhe përditësimin e tij të parë dyvjeçar të kërkesës për udhëtime ajrore të vitit 2024, duke tërhequr të dhëna nga mbi 2 mijë e 600 aeroporte në më shumë se 180 vende dhe territore në mbarë botën.

Trafiku global i pasagjerëve në vitin 2024 parashikohet të kapërcejë nivelin e 2019-s për herë të parë që nga COVID-19, duke arritur në 9.7 miliardë pasagjerë ose 106% të nivelit të 2019-ës (12% norma e rritjes vjetore).

Norma e rritjes pritet të ngadalësohet gradualisht në vitet në vijim, pasi më shumë tregje rikuperohen nga efektet e COVID-19.

Faktorët makroekonomikë, si inflacioni i lartë global, ngadalësimi i PBB-së globale, nivelet pesimiste të besimit të biznesit dhe konfliktet gjeopolitike paraqesin rreziqe dhe pasiguri të konsiderueshme në parashikimet e ardhshme./Albanianpost.com

Read Previous

Liga franceze e futbollit fillon epokën post-Mbappé

Read Next

Stano për dialogun për Urën e Ibrit: S’bëhet fjalë për marrëveshje të re