Perez: Rreth 20% e eurodeputetëve të ardhshëm mund të jenë kundër anëtarësimit të Kosovës në BE

Alejandro Esteso Perez, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, deklaroi se rreth 20 për qind e eurodeputetëve të ardhshëm në Parlamentin Evropian (PE) mund të jenë kundër perspektivës së anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur rreth raportit të publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ku ndër të tjera thuhet se ngritja e së djathtës në shumë prej shteteve anëtare para zgjedhjeve për PE-në që priten të mbahen javën e ardhshme, mund të rrezikojë perspektivën evropiane të Kosovës.

“Në dritën rritjes të së djathtës ekstreme, ky mund të jetë edhe parlamenti më kundër Kosovës në histori. Arsyet ndryshojnë, por nëse ndjekim parashikimet aktuale të paktën 20 për qind e eurodeputetëve të ardhshëm mund të jenë kundër perspektivës së anëtarësimit të Kosovës”.

Por, pavarësisht se partitë e ekstremit të djathtë pritet të kenë sukses në zgjedhjet e ardhshme evropiane që zhvillohen në 27 vendet anëtare të bllokut mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti, dhe pavarësisht kontekstit gjeopolitik, ai shtoi se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet drejt integrimeve evropiane.

“Nuk është një kontekst ndërkombëtar i lehtë për Kosovën por nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës së integrimeve evropiane”, shtoi Perez, duke qenë se edhe në raportin e GLPS-së thuhet se shumica e eurodeputetëve mund të jenë kundër anëtarësimit për shkak të kundërshtimit të zgjerimit në përgjithësi, ose për shkak të rezervave politike rreth pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet për legjislativin e ri evropian, i cili numëron plot 720 ulëse, do të mbahen në të gjitha 27 vendet anëtare të bllokut nga 6 deri më 9 qershor 2024, ku rreth 370 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë teksa një rritje e së djathtës ekstreme vërehet në shumicën e vendeve anëtare të BE-së. /Albanianpost.com

Read Previous

NBA/ Dallas shpallet kampion në Konferencën e Perëndimit

Read Next

Bujar Osmani takon Blinkenin: Biseduam edhe për respektimin e tri marrëveshjeve