Janë të pamposhtur. “Aspirinat” e Bayer Leverkusen kanë arritur një tjetër fitore të madhe mbrëmjen e së enjtejes, që sapo lamë pas, teksa kanë mundur në “Stadio Olimpico”, “Verdhekuqtë” e Roma, në sfidën e parë gjysmëfinale, të UEFA Europa League, me rezultatin e pastër, 2 me 0, duke qëndruar me “një këmbë” në finalen e madhe të kompeticionit.
Disa fjalë për mediat pas ndeshjes i tha edhe tekniku i “gjigantëve” italianë, Daniele De Rossi, i cili pavarësisht se ndodhet në disavantazhin e dy golave, pas sfidës së parë duket të jetë tejet optimist, teksa ka vendosur të mbajë lart moralin e skuadrës së tij dhe ka vendosur të gjithë fokusin e skuadrës, në sfidën e ardhshme, të “BayArena”.
“Kemi luajtur kundër një skuadre të fortë, e cila, nëse kalon në epërsi, të krijon vështirësi në menaxhimin e topit. Ecuria e përgjithshme u bë në mënyrë korrekte, më pëlqeu pjesa e parë sepse e rikuperuam topin herët dhe i detyruam të hidhnin topa të gjatë, ishte ajo që kishim përgatitur. Në ndeshjet e Evropës shumë herë e kemi zhbllokuar në ndeshjen, por sot ndodhi e kundërta. Unë besoj shumë te kjo skuadër, pa dyshim që do të jetë e vështirë, por nuk do të dorëzohemi.
Episodet janë gjithmonë vendimtare, por do të ishte e padrejtë nëse sot do të drejtonim gishtin për një gabim të bërë, kur ndoshta në ndeshjet e tjera fituam për gabimet e të tjerëve. Është pjesë e lojës. Të gjithë së bashku dalim nga kjo situatë, kemi edhe një ndeshje kthimi. Në sekondën e fundit patëm një mundësi të jashtëzakonshme”,- u shpreh tekniku italian pas përfundimit të sfidës. /i.m /abcnews.al