Kuvendi i Kosovës, të enjten, me 61 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar në parim Projektligjin për Këshillin Prokurorial.
Në votim nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare.
Të enjten në mungesë të kuorumit ka dështuar sërish miratimi i projektligji për shëndetin riprodhues.
Në Kuvendin e Kosovës nuk ka pasur kuorum as për t’u votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Për Projektligjin për Këshillin Prokurorial ka pasur kritika si nga organizatat joqeveritare ashtu edhe nga partitë opozitare.
Së fundmi, Partia Socialdemokrate e Kosovës përmes një aksioni simbolik në oborrin e Kuvendit të Kosovës, të enjten, ka kundërshtuar draftin e tretë të Ligjit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, meqë dy draft-ligjet parapake u rrëzuan fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pastaj nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Në vlerësimin e PSD-së, Qeveria e Kosovës me fizkultura matematikore përmes draft-ligjit të Këshillit Prokurorial po dëshiron ta kontrollojë këtë institucion të pavarur.
Anëtari i PSD-së, Zgjim Hyseni, në një prononcim për media pas aksionit simbolik, ka potencuar se Qeveria e Kosovës me draftin aktual po bën një hile kur po cakton zgjidhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial, duke e rritur numrin e anëtarëve në 18 për një periudhë tranzicionale.
“Me draftin aktual, katër zgjidhen nga radhët e prokurorëve, kurse tre janë prej Kuvendit me shumicë të thjeshtë. Kësaj radhe e kanë zhvendosur hilen. Tash hilja është te një periudhë tranzicionale. Këshilli aktual i ka 13 anëtarë, e kanë rritur këshillin aktual për periudhën tranzicionale në 18 anëtarë, plus pesë anëtarë secili prej tyre ka me u zgjedh prej Kuvendit”,
Pra, kështu sipas Hysenit, Qeveria e Kosovës po dëshiron të krijojë shumicën në mënyrë që me e zgjedh kryeprokurori.
“E kryeprokurori është një prej anëtarëve në atë te përbërja katër me një, pra matematika e tyre është një e kam në mendje, e zgjedhi tash në mënyrë që kur bëhen katër me tre, me qenë katër që i kontrollojnë, pra po dëshirojnë me zgjedh kryeprokurorin duke e rritur numrin aktual në këtë periudhën tranzicionale”.
Hyseni, në konferencë për media gjithashtu ka shpjeguar tendencën e Qeverisë së Kosovës se si ka dëshiruar ta fut në kontroll Këshillin Prokurorial përmes dy-draft ligjeve paraprake.
“Në draftin e parë i kanë rënë shkurt, kanë thënë katër anëtar i përzgjedhim nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë edhe tre prej prokurorëve. Për të reduktuar, kjo i bie që kryeprokurorin me mund me ta zgjedh kryeministri”.
“Pasi Komisioni i Venecias ju ka asgjësuar këtë ligj, strategjia është bërë pak më perfide, shërbëtor me shkollë të Albin Kurtit thanë se tash shumica do të jetë e prokurorëve, sepse shumica me qenë e zgjedhur prej politikës, nuk është as në Serbi as në Shqipëri që ne i konsiderojmë vende autoritare”.
“Por, pa u pajtuar anëtarët e zgjedhur prej politikës asnjë vendim me rëndësi nuk mund të merret, praktikisht këta me draftin e dytë i kanë dhënë veto anëtarëve të zgjedhur prej politikës”.
Kjo lojë, sipas Hysenit, është cenim i balancit dhe i autonomisë së sistemit të drejtësisë.
“Edhe këtë draft ju ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese”./Albanianpost.com/