Të gjithë duan fanellën e Messit, por ai ia ka kërkuar vetëm një lojtari

Fanella e Lionel Messi-t është padyshim më e kërkuara në futbollin botëror me lojtarë dhe tifozë të gjithë të etur për ta pasur atë.

Është e sigurt që shkakton shumë debate në dhomat e zhveshjes se kush do të marrë fanellën e tij pas ndeshjeve.

Vetë Messi zakonisht nuk kërkon të shkëmbejë fanellën me lojtarë të tjerë, por bëri një përjashtim kur ishte fjala për legjendën e Real Madrid-it dhe Francës, Zinedine Zidane.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë kujtoi një herë në karrierën e tij kur u ndje i detyruar të kërkonte fanellën e një kundërshtari, atë që ishte fituesi francez i Kupës së Botës 1998.

“Unë nuk kërkoj fanella”, tha ai për “TyC Sports” në vitin 2017. “Nëse ka një argjentinas, do ta ndërroj me një argjentinas. Nëse jo, dhe dikush tjetër më kërkon, unë do ta ndërroj me të. Nëse jo, nuk shikoj dhe nuk pyes”.

“E pyeta një herë”, zbuloi Messi. “E pyeta (Zinedine) Zidane”.

Lionel Messi vs Zinedine Zidane (AFP)

Ndërrimi i fanellave ka shumë të ngjarë të ketë ndodhur në nëntor 2005 kur Barcelona fitoi 3-0 në “Santiago Bernabeu”.

Një adoleshent, Messi, filloi për klubin katalanas dhe luajti rolin e tij teksa Ronaldinho shënoi dy herë dhe Samuel Eto’o shtoi një tjetër gol.

Argjentinasi dha një asist atë mbrëmje para se të zëvendësohej vonë nga Andres Iniesta. Dhe edhe pse ai u largua herët, Messi u sigurua që të merrte fanellën e francezit në bilbilin e fundit.

Messi, i cili preferon të ndërrojë fanellat me lojtarët që njeh, zbuloi se koleksioni i fanellave ka një vend të veçantë në shtëpinë e tij.

Ai i tha “Miami Herald”: “I kam të gjitha të ruajtura në shtëpinë time, në Barcelonë, ku kam të gjitha kujtimet e rëndësishme të karrierës sime”.

“Unë thjesht shkëmbej me këdo që është aty në atë moment”, shtoi ai. “Kam pasur një shans të luaj kundër skuadrave që kishin lojtarë argjentinas, dhe në përgjithësi ne ndërrojmë fanellën, por kam shkëmbyer edhe fanellat me lojtarë në Evropë, lojtarë që i kam njohur nga më parë… është gjithmonë mirë të ndërrosh fanellën me miqtë ose lojtarët që njeh”. /Albanianpost.com

Read Previous

Kush janë udhëheqësit e Hamasit, që Izraeli prej vitesh tenton t’i likuidojë?

Read Next

Astronomët regjistruan shpërthimin më të vjetër kozmik të marrë ndonjëherë