Demush Shasha nga Instituti Epik mendon se “ka zero mundësi” që Franca në mënyrë unilaterale të pezullojë liberalizmin e vizave për Kosovën, pasi “kërcënimit” të presidentit francez Emmanuel Macron nga Tirana.
“Nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezullojë liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Shasha ka sqaruar se Kosova ka kryer “të gjitha detyrat e veta të shtëpisë” dhe mund të rri komod për liberalizimin e vizave.
“Ne vetëm jemi duke e pritur të buzëqeshur 1 janarin 2024.Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”.
Ndryshe, Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar në konferencë për media bashkë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se Franca ka pezulluar procesin e liberalizmit të vizave, meqë Kosova nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë.
“Ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, fjala nuk po mbahet pres të angazhohen dy palët. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, ka deklaruar Macron.
Ai ishte i prerë në qasjen që ka Parisi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka kërkuar respektimin sa më të shpejtë të planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve, zhvillimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve në komunat veriore, si edhe njohjen e asociacionit nga pala kosovare. /Albanianpost.com