Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur këtë të martë në takim homologun francez Emmanuel Macron si dhe delegacionin që e shoqëron.
Përgjatë takimit kokë më kokë, Presidenti Begaj nënvizoi se kjo vizitë demonstron interesin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në drejtim të paqes, sigurisë, dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Pjesë e bisedimeve me Presidentin Macron ishin edhe integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.
Begaj shprehu mirënjohjen, “për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit”.
Ai gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga Presidenti Macron, për lancimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore.
Presidenti Begaj falënderoi Macronin, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës.
/albanianpost/