“Procesi i Berlinit”, policia blindon Tiranën

Nën masa të rrepta sigurie do të jetë Tirana për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet të hënën në kryeqytetin shqiptar, një event ndërkombëtar ku do të marrin pjesë liderët e Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1604 forca policore.

Masat e sigurisë do të fillojnë që pasditen e të dielës (15 Tetor) me bllokimin e disa rrugëve në qendër të Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve.

Ndërsa në ditën e samitit, bizneset në zonën e perimetrit të sigurisë nuk do të lejohet të hapen.

Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Ukraina e lirë”.

Sipas Bizhgës, në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 Tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 Tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.

Ndërsa në rrugën “Papa Gjon Pali II” nuk do të lejohet as lëvizja në këmbë e qytetarëve.

Më datë 16 Tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë ndalim të qarkullimit në akset rrugore: 

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;

Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve); 

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;

E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Samiti i Procesit të Berlinit mbahet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe është zgjedhur Tirana për event të rëndësisë së lartë. /tvklan.al

Read Previous

​Pendarovski: BE të dëshmojë një përgjegjësi më të madhe për Ballkani Perëndimor

Read Next

Kristjan Asllani flet për konkurrencën me Calhanoglun dhe rolin e tij të preferuar