Konrad: Kosova dhe Serbia të gjejnë një kompromis përfundimtar

Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se Serbia si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa për përkeqësimin e situatës në Kosovë, vlerësoi se “provokimet e ndërsjella duhet të ndalen” për të gjetur një kompromis.

“Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë që me ndërmjetësimin e BE-së të gjejnë një kompromis përfundimtar”, tha ajo për N1, duke shtuar se të dyja palët duhet të tregojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje që do të ulë tensionet.

Lidhur me kërkesën e Serbisë drejtuar KFOR-it për kthimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Konrad potencoi se qëndrimi i Gjermanisë është se “përgjigja e KFOR-it do të pasojë dhe se duhet pritur”.

Ajo ka kërkuar nga Serbia që t’i vendos sanksione Rusisë, pasi synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Serbia ende nuk i është bashkuar atyre sanksioneve. Shpresojmë që si vend kandidat për anëtarësim në BE, Serbia të vendos për sanksione si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

E pyetur se çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Gjermanisë me ardhjen e kancelarit të ri Olaf Scholz, ambasadorja theksoi se nuk beson se diçka ka ndryshuar.

“Të jesh miq nuk do të thotë që duhet të jesh gjithmonë i të njëjtit mendim”, shtoi Konrad, duke potencuar se tani “sfida kryesore është sulmi rus ndaj Ukrainës”, të cilin Gjermania e konsideron një shkelje të ligjit ndërkombëtar. /Albanianpost.com

Read Previous

“Takimi sekret” Kosovë-Serbi në Zvicër u mbajt një javë pas largimit të serbëve nga institucionet

Read Next

Fillon afati kalimtar në basketboll