Kreu i agjencisë gjermane të rrjetit energjetik ka thënë se vendi po kursen më pak gaz sesa duhet për të përjashtuar mungesat këtë dimër.
Kjo pasi Gjermania nuk e arriti javën e kaluar objektivin vendimtar për një ulje prej 20 për qind të konsumit mes temperaturave në rënie.
Gjermania e ka plotësuar rreth gjysmën e nevojave për gaz natyror nga Rusia përpara fillimit të luftës në Ukrainë. Kurse tani është përpjekur të hapë burime të reja energjie.
Gjatë verës, ministri i ekonomisë Robert Habeck, njoftoi një objektiv të kursimeve të përgjithshme prej 20 për qind në të gjithë Gjermaninë.
Një objektiv ky, më i lartë se ai prej 15 për qind i vendosur nga Komisioni Evropian.
Pas një vjeshte relativisht të butë, gjatë së cilës bizneset dhe familjet gjermane kursyen më shumë gaz sesa kërkohej nga plani i emergjencës, i ftohti në fund të javës së kaluar ka vënë alarmin.
“Aktualisht, kursimet totale janë vetëm 13 për qind”, ka thënë Klaus Müller, kreu i agjencisë federale të rrjetit për shërbimet komunale, Bundesnetzagentur.
“Tani po marrim gaz nga disa burime. Së shpejti do të kemi tre terminale për gaz të lëngshëm dhe po marrim dërgesa të mira nga Norvegjia, Holanda, Belgjika dhe gjithashtu përmes Francës”, ka shtuar ai.
Me ndalimin e furnizimeve të gazit nga Rusia që duket i përhershëm pas shpërthimeve në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 në shtator, në Berlin vazhdon të ketë pasiguri për racionimin e gazit në dimrin 2023-2024.
Nëse qeveria gjermane do të shpallte një emergjencë gazi, agjencia do të kishte një zgjedhje midis racionimit të furnizimit me gaz për rajone të tëra gjermane, për kompanitë individuale me kërkesa veçanërisht të larta ose për sektorët e industrisë që i deklaron jo jetike.
/The Guardian/Albanianpost.com