Kosova jashtë planit të rritjes së BE-së, opozita fajëson Kurtin
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri shënon sot, më 27 nëntor, 73-vjetorin e themelimit, duke kujtuar rrugëtimin e tij artistik që nisi në vitin 1953 me shfaqjen e operës “Rusalka”.
Historia e këtij institucioni nisi tri vjet më herët, me krijimin e Filarmonisë Shqiptare, e cila bashkoi korin, orkestrën simfonike, këngëtarët lirikë dhe trupën e baletit, duke krijuar bazat e zhvillimit të artit skenik në Shqipëri.
Me zgjerimin e veprimtarisë artistike, në vitin 1956 teatri u konsolidua si strukturë më vete. Ndër arritjet e para të rëndësishme të skenës operistike dhe baletit shqiptar ishin opera e parë shqiptare “Mrika”, e shfaqur më 1958, dhe baleti “Halili dhe Hajria”, i vitit 1963, përcjell KultPlus.
Që nga viti 1966, institucioni u vendos në godinën e Pallatit të Kulturës, në qendër të Tiranës. Më vonë, pjesë e tij u bë edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i themeluar në vitin 1957.
Gjatë më shumë se shtatë dekadave, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e muzikës klasike, operës, baletit dhe traditës artistike shqiptare.
Në 73-vjetorin e tij, institucioni ka shprehur mirënjohje për të gjithë artistët që ndër breza kanë kontribuar në ndërtimin e historisë së kësaj skene, e cila vazhdon të mbetet një prej qendrave kryesore të artit skenik në Shqipëri./KultPlus.com


