Elon Musk premton nga dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA

Creator: Joe Skipper | Credit: REUTERS

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, ka bërë të ditur një nismë të re përmes së cilës synon t’u dhurojë nga dy aksione të kompanisë SpaceX fëmijëve në Shtetet e Bashkuara, në një angazhim që vlerësohet në rreth 18 miliardë dollarë.

Sipas njoftimit të publikuar nga Musk në platformën X, secili fëmijë do të përfitojë një aksion të emetuar nga vetë kompania dhe një tjetër që do të dhurohet personalisht nga miliarderi. Megjithatë, ai nuk ka dhënë ende hollësi se si do të organizohet shpërndarja e aksioneve.

Nisma lidhet me programin “Trump Accounts”, i cili synon t’u mundësojë të gjithë amerikanëve nën moshën 18-vjeçare të përfitojnë nga tregu i aksioneve dhe të krijojnë pasuri që në moshë të hershme. Sipas të dhënave të bëra publike nga Shtëpia e Bardhë në tetor, deri atëherë ishin hapur rreth 70 milionë llogari të tilla.

Aksionet e SpaceX u mbyllën të mërkurën me çmim prej 127.44 dollarësh për njësi, duke e çuar vlerën e angazhimit të Musk në rreth 18 miliardë dollarë, ose afërsisht 16 miliardë euro.

Kjo nuk është hera e parë që Musk shpreh synimin për një shpërndarje të tillë. Në tetor, ai kishte deklaruar se planifikonte t’i dhuronte nga një aksion të SpaceX çdo fëmije në Amerikë, duke e cilësuar shpërndarjen e aksioneve si një mënyrë për t’i përfshirë qytetarët në ekonominë e së ardhmes.

Pasuria personale e Musk vlerësohet në rreth 824 miliardë dollarë. Deri në muajin qershor, ai zotëronte 6.42 miliardë aksione të SpaceX. Në të njëjtën nismë është përfshirë edhe presidentja e kompanisë, Gwynne Shotwell, e cila së bashku me bashkëshortin e saj është zotuar të dhurojë një pjesë të aksioneve për më shumë se dy milionë fëmijë.

Ndërkohë, nisma vjen në një periudhë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me diskutime gjithnjë e më të mëdha mbi mënyrën e ndarjes së përfitimeve nga zhvillimi i inteligjencës artificiale.

Kompania Anthropic ka njoftuar gjithashtu krijimin e një fondi për të mirën e përbashkët, përmes të cilit synon të ndajë 5 për qind të aksioneve të saj, me vlerë të përllogaritur prej 54 miliardë dollarësh. Ndryshe nga modeli i Musk, i cili synon shpërndarjen e drejtpërdrejtë të aksioneve te fëmijët amerikanë, Anthropic ka zgjedhur t’i orientojë këto mjete drejt financimit të nismave me përfitim shoqëror./KultPlus.com

Read Previous

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri shënon 73-vjetorin e themelimit

Read Next

Si mund të vazhdojë BE-ja ta financojë mbështetjen për Ukrainën?