Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak. Ai ka publikuar fotografi i ndodhur në pjesë veriore të Kosovës duke shkruar se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikat kufitare dhe brenda territorit të Republikës së Kosovës, me përkushtim janë duke përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke siguruar ambient të qetë dhe shërbime për të gjithë qytetarët.
“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak, në stacionin policor të kufirit në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare në Jasenovik. Gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës me përkushtim janë duke përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke siguruar ambient të qetë dhe shërbime për të gjithë qytetarët, si në pikat kufitare ashtu edhe brenda gjithë territorit të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si e tillë, ajo do të vazhdojë të kryejë misionin e saj me gatishmëri të plotë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim” u shpreh ai.
Kujtojmë që një ditë më parë në takimin e jashtëzakonshëm, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, vendosën të braktisin të gjitha institucionet Kosovës. Ndërkohë, sot kanë mbajtur një tubim në qendër të komunës së Mitrovicës së Veriut. Po ashtu, sot zyrtarisht në një mbledhje të jashtëzakonshme, kryetarët e komunave në veri, si dhe këshilltarët komunal, kanë dhënë dorëheqje.