​Sveçla reagon pas operacionit policor në veri

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se pret “dënim meritor e pa dilemë” ndaj të dyshuarve për përfshirje në veprat penale të trafikimit me armë. Sveçla reagoi pas operacionit të Policisë së Kosovës në veri ku autoritetet gjetën një punishte armësh.

“Vazhdojmë pa asnjë kompromis goditjen ndaj kriminaliteteve që cenojnë sigurinë qytetarëve tanë dhe Republikës sonë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën më 7 maj se Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar një operacion policor në tri lokacione në veri të Mitrovicës dhe në Zvecan, ndaj disa të dyshuarve, të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale të trafikimit me armë.

“Në një lokacion në Mitrovicë Veri, është zbuluar një punëtori ku dyshohet se bëhej modifikimi i armëve, me ç’rast janë gjetur armë dhe pjesë të llojeve të ndryshme të armëve”, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Sveçla më pas tha “kjo veprimtari dhe çdo tjetër do të luftohen deri në fund, e veçanërisht kur të njëjtat zhvillohen për të penguar e ndaluar punën e zyrtarëve tanë që garantojnë sundim të rendit e ligjit dhe siguri për vendin tonë”.

“Ndaj të arrestuarve që kanë zhvilluar këtë veprimtari pres dënim meritor e pa dilemë, që të fuqizojë përpjekjet tona për një Republikë të sigurt”, tha Sveçla.

Policia e Kosovës bëri të ditur se tre persona janë shoqëruar në polici dhe me aktvendim nga organet e drejtësisë njëri prej tyre është dërguar në mbajtje.

Policia ka bërë konfiskimin e një sasie të armëve, pjesëve të armëve, municionit dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme gjyqësore. /KosovaPress

Read Previous

NBA | Pacers vazhdojnë me befasi, ngritin epërsinë në 2-0 ndaj Cavaliers

Read Next

​Haxhiu për propozimin e LDK-së: E papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve