​Sot nis Botërori i Xhudos, Kosova synon medalje elitare

Kampionati Botëror i Xhudos për Seniorë do të nis sot në Budapest të Hungarisë dhe do të zgjasë deri më 19 qershor. Në këtë ngjarje madhore të sportit botëror, Kosova do të përfaqësohet nga disa prej emrave më të shquar të xhudos, të cilët kanë bërë krenar kombin ndër vite me sukseset e tyre ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova do të jenë në qendër të vëmendjes, teksa synojnë të ngjiten në podiumin botëror dhe të sigurojnë një tjetër sukses të rëndësishëm për sportin kosovar.

Distria Krasniqi do të zbresë në tapet ditën e shtunë, më 14 qershor, në kategorinë -52 kg, ku konsiderohet si një nga favoritët për medalje.

Akil Gjakova, kampioni evropian i vitit 2021, do të garojë të dielën më 15 qershor me synimin për të ripërsëritur paraqitjet e shkëlqyera që e kanë bërë një emër të njohur në arenën ndërkombëtare.

Laura Fazliu, nënkampione evropiane, do të kërkojë të shkëlqejë të hënën, më 16 qershor.

Federata e Xhudos e Kosovës dhe i gjithë opinioni sportiv janë të përkushtuar në mbështetjen e këtyre kampionëve, të cilët jo vetëm përfaqësojnë ngjyrat e vendit me krenari, por edhe rrisin emrin e Kosovës në botë përmes sportit./ KosovaPress

Read Previous

Netanyahu thotë se sulmet do të vazhdojnë “për aq ditë sa duhen”

Read Next

Çmimet globale të naftës shënojnë rritjet më të mëdha ditore në vite