Pas temperaturave të larta, numri i zjarreve është rritur në vendin tonë, teksa ai i zjarrfikësve mbetet i vogël. Ata po vlerësohet se nuk mund t’i mbulojnë të gjitha rastet. E përveç kësaj, kanë edhe mungesë të mjeteve për shuarjen e zjarreve dhe të sigurisë.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka dhe kryetarët e komunave i bëjnë thirrje qeverisë që urgjentisht të krijojë një ligj që i trajton në mënyrë të dinjitetshme dhe të barabartë të gjithë zjarrfikësit, pasi askush nuk është duke marrë përgjegjësi në këtë drejtim.
Kryetari i zjarrfikësve, Muharrem Beka thotë se gjendja e tyre është alarmante dhe se asgjë nuk është duke funksioniar, teksa shton se nëse vazhdohet kështu, nuk do të ketë motiv për punë.closevolume_off
Beka: Gjendja e zjarrfikësve është alarmante
“Cështja e shërbimit të zjarrfikësve është bërë e patoleroueshme, kërkesat janë të kamotshme, gjendja është alarmante, sepse asgjë nuk po funksionon, dhe askush nuk është duke u marrë që të dilet prej kësaj situate…Numri i vogël i zjarrëfikësve, jashtë çdo kriteri. Shumica e komunave kanë dy apo tre zjarrfikësa në një ndërrim, që është e papërballueshme…Kur kemi parasysh përgjegjësitë e institucioneve vërehen qartë se ka mangësi në menaxhim dhe plotësimin e kërkesave, përjashtim Prishtinën, pasi i ka përfunduar orët jashtë orarit, ndërrimin e natës, festat, por puna e vikendit nuk është e rregulluar aty, në disa tjera komuna po. Mirëpo, problemi tash është çështja e rrezikshmerisë që qeveria ia ka ndërprerë zjarrfikësve dhe kompensimi i ndërrimit të natës, orëve jashtë orarit dhe festave zyrtare që disa komuna i paguajnë, disa tjera jo. Ne jemi dakorduar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, që komunat të cilat nuk kanë buxhet t’i paguajnë, do të paguhen prej ministrisë, mirëpo nuk kemi marrë përgjigjje, jemi duke pritur. … Askush nuk merr përgjigjësi si punëdhenës, çdoherë duke ia hedh fajin komuna-ministrisë dhe anasjelltas”, thotë Beka.
Beka flet edhe për numrin në rritje të zjarreve.
Beka: Është rritur numri i zjarreve
“Është rrit numri enorm (i zjarrëve) por edhe në vitet tjera, përaferisht janë tetë deri në 10 mijë raste zjarri nivel vendi. Mirëpo kur kemi parasysh numrin e paktë të zjarrfikësve, mosha mestare e shtyrë, mungesa e stafit, e paisjeve të testuara ose mbrojtja, siguria në punë, asgjë këtu nuk vlen…Nëse vazhdon kështu nuk ka motiv për punë, më e dhimbshme është denigrimi që iu bëhet“, thotë ai.
Në anën tjetër, të shqetësuar me këtë gjendje të zjarrfikësve janë edhe kryetarët e komunave. Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj thotë se me numrin aktual të zjarrfikësve është vështirë të mbulohen të gjitha zjarret që po shkaktohen.
Muharremaj: Për shkak të temperaturave shumë të larta kemi problem me zjarre
“Kemi një sfidë, për shkak të temperaturave shumë të larta kemi problem me zjarre. Kemi numrin e vogël të zjarrfikësve dhe kështu, po mundohemi të jemi në terren me qytetarët në 24 orë, por e kemi të pamundur pasi kemi 4-5 zjarre brenda një kohëj të shkurtër, dhe nuk dimë ekipet e zjarrfikësve ku të intervenojmë përpara…Nuk po mundemi të rrisim numrin pasi nuk kemi bazë ligjore të marrim punëtorë, janë edhe 4-5 punëtorë, por këtë punë duhet të kryejë Agjencioni i menaxhimit të emergjencave, sepse ata e bëjnë rekrutimin e stafit, jo ne. Me ligjet e reja që janë në fuqi e menaxhon dhe udhëheq Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave”, thotë Muharremaj.
Ai shton se kërkesat te institucionet përgjegjëse për rritjen e numrit të zjarrfikësve janë të shumta, porse pa përgjigjje.
Muharremaj: Kemi dërguar kërkesë për të rritur numrin e tyre, s’ka përgjigjje ende
“(Kerkesa) Jo njëherë, por shumëherë, shumëherë kemi biseduar edhe me telefon, por deri tash nuk kemi rezultate pozitive”, shton Muharremaj.
Se ka mungesë të zjarrfikësëve e thotë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
Ai teksa shprehet i shqetësuar me këtë gjendje, thotë se ende nuk është definitive çështja e zjarrfikësve.
Aliu: Jemi nga ato komuna që vuajmë nga numri i vogël i zjarrfikësve
“Jemi nga ato komuna që vuajmë nga numri i vogël i zjarrfikësve, dhe realisht edhe ai numër që është, në mesin e tyre kemi punonjës që kanë probleme shëndetësore dhe nuk mund të jenë të rregullt në orarin e punës. Në këtë aspekt çalojmë, sepse akoma nuk është definitive nëse statusi i zjarrfikësve do të kalohet në instanca qeveritare apo do të mbetet në komuna. Në këtë mëdyshje nuk kemi pas mundësi të shtojmë numrin e zjarrfikësve”, thotë ai./Botasot/