Profesionistët shëndetësor të Kosovës, në përjashtim të njërit nga ta ende nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës nga Shqipëria. Kjo pasi Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nuk i kishte dërguar listat me emra në Qeverinë Shqiptare.
Përkundër faktit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama më 1 janar kishte thënë se do t’i jep Kosovës një sasi të vaksinave për ta vaksinuar stafin shëndetësor, pastaj më 12 mars, i bëri thirrje mjekëve të Kosovës të shkojnë për të marrë vaksinën në Kukës, Ministria e Shëndetësisë, tek para dy dite ka kërkuar nga ShSKUK, listën me emra të mjekëve për ta dërguar atë pastaj në Shqipëri.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka bërë të ditur për KosovaPress, se listën me emrat e profesionistëve shëndetësor ia kanë dërguar gjatë ditës së djeshme Ministrisë së Shëndetësisë në vend.
Krasniqi: E kemi përgatitur këtë listë dhe dje e kemi përcjell në Ministrinë e Shëndetësisë
“Ne e kemi përgatitur këtë listë dhe dje e kemi përcjell në Ministrinë Shëndetësisë. Një natë më herët, në natën paraprake ne kemi marrë konfirmim nga MSh që mund të shkojnë 50 deri në 100 profesionistë për t’u vaksinuar në Kukës, dhe ne menjëherë ditën e nesërme në mëngjes, bazuar në rekomandimin e Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë në nivel të ShSKUK-së, ju kemi dërguar kërkesa klinikave dhe spitaleve që të na dërgojnë këtë listë”, thotë ai.
Ai ka treguar për KosovaPress edhe kriteret që është dashur të plotësohen për të qenë pjesë e kësaj liste.
Krasniqi: Kemi vendosur disa kritere për listat e vaksinimit
“Kriteret që i kemi vendosur kanë qenë që përparësi do të kenë mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi tjetër mbështetës teknik që punojnë në klinikat Covid, dhe në repartet ku trajtohen pacientët COVID nëpër spitalet e përgjithshme… Të gjithë emrat, personat që janë dërguar nga të gjithë drejtorët, ne i kemi përcjellë në Ministri të Shëndetësisë”, thotë ai.
Ndërsa, zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, Etiola Kola ka bërë të ditur për KosovaPress, se janë të gatshëm për vaksinimin e profesionistëve shëndetësor të Kosovës në çdo kohë, porse ende nuk kanë marrë një listë zyrtare.
“Paraprakisht, ne jemi në pritje që të na vijnë listat sikundër është biseduar dhe jemi të gatshëm për vaksinimin në çdo kohë”, ka thënë ajo në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Ditë më parë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me mosreagimin e Ministrisë së Shëndetësisë pas ofertës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për vaksinim të punëtorëve shëndetësor.
FSSHK në një komunikatë për media kishte bërë të ditur se nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ka mundësi të organizojë marrjen e vaksinave, një gjë të tillë do ta merrte përsipër vet federata.
“Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla ka komunikuar me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani i cili është angazhuar direkt për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor në Kukës, por, për fat të keq Ministria e Shëndetësisë së Kosovës deri më tani është duke e neglizhuar ofertën, prandaj apelojmë tek Ministria e Shëndetësisë që nëse nuk ka mundësi dhe gatishmëri për organizimin e marrjes së vaksinave në Kukës për punëtorët shëndetësor atëherë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është e gatshme të merr komplet organizimin për realizimin e vaksinimit të ofruar, në të kundërtën çdo vonesë është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatë.
Ndërkaq, më 15 mars, mjeku kosovar Blerim Feka e kishte kaluar kufirin për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
Sipas informatave që ka KosovaPress, ky i fundit kishte arritur të vaksinohej ndonëse Ministria e Shëndetësisë atje ende nuk kishte pranuar listën me emrat e profesionistëve shëndetësor nga Kosova.
Pas tij, në mënyrë të organizuar edhe dy mjekë të tjerë kishin shkuar të vaksinoheshin, porse një gjë e tillë kishte qenë e pamundur në mungesë të kësaj liste.
KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë për shkaqet e vonesës së dërgimit të listës me emrat e profesionistëve shëndetësor në ministrinë homologe në Shqipëri, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.