​Dibrani: Për tri vjet kemi parandaluar 130 raste të kontrabandës në burgje

Në tri vitet e fundit janë shënuar 130 raste të parandalimit të kontrabandës në burgjet e Kosovës. Në disa raste kanë qenë të përfshirë edhe stafi korrektues, të cilët nuk janë më pjesë e këtyre institucioneve. Kështu deklaroi drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani i cili foli edhe për projektet përmes së cilave synohet ngritja e kapaciteteve brenda burgjeve.

Në konferencën me donatorët, ai tha se këtë vit është shumëfishuar buxheti për investime kapitale.

“Gjatë këtyre tri viteve kemi arritur që së paku në 130 raste të parandalojmë futjen e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese. Siç e dini, kryesisht rrugët e shpeshta apo rrugët kryesore për futjen e kontrabandës në institucione korrektuese janë përmes familjarëve apo kompanive të tjera të cilat furnizojnë institucionet tona me artikuj të ndryshëm. Në raste të rralla ka pasur raste edhe kur stafi ka qenë i infiltruar por fatkeqësisht këta zyrtarë nuk janë më në pjesën e Shërbimit Korrektues e as nuk do të jenë asnjëherë. Si asnjëherë më parë ShKK nga koha kur investime kapitale kishim më pak se një milion euro, këtë vit po hyjmë me buxhet tetë milionë euro, gjë e cila na mundëson ndryshimin e infrastrukturës”, deklaroi Dibrani.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, shton Dibrani, ka filluar projektimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja. Sipas tij, procesi i ndërtimit të këtyre burgjeve po bëhet në bashkëpunim me partnerët strategjik dhe shoqërinë civile.

“Vetëm gjatë vitit që po lëmë pas dhe këtij viti kemi arritur dhe jemi në proces të rekrutimit të së paku 200 oficerëve të rinj. Ju e dini që problem i kamotshëm ka qenë mosha e shtyrë e stafit në Shërbimin Korrektues. Ligji i ri e përcakton qartë, oficerët korrektues nuk mund të jenë mbi 30 vjeçar dhe kjo do të na freskojë do të jetë një rifreskim dhe energji e re”, shtoi ai.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se po punojnë në avancimin e kushteve brenda qendrave korrektuese.

“Ne të gjithë do të donim që krimin ta ndalnim me kohë, pa ndodhur. Por ai ndodhë dhe duhet të kemi sistem efikas korrektues për zbatimin me profesionalizëm të sanksioneve penale dhe me heqje lirie. Sot Shërbimi Korrektues i Kosovës ka avancuar në ofrimin e trajtimeve për të dënuarit dhe kjo pa dyshim edhe falë mbështetjes së raporteve miqësore me partnerët tanë strategjik. Ne duhet të vazhdojmë tutje të punojmë në krijimin e kushteve më të mira për ShKK-në dhe të punojmë e sigurojmë trajtimin e barabartë për të gjithë të burgosurit. Përgjatë viteve ShKK ka progresuar për tu bërë një shërbim i cili në përgjithësi përputhet me rregullat, standardet minimale të OKB-së për trajtimin e të burgosurve dhe rregullat evropiane të burgjeve”theksoi ai.

Më tej, ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport foli për rëndësinë e trajnimeve për stafin korrektues.

“Mbështetja për institucionet e sigurisë publike në Kosovë që sigurojnë siguri dhe rend publik për të gjitha komunitetet, është prioritet i dorës së parë në suazat e mandatit të misionit të OSBE-së në Kosovë. Çfarë është e vërteta, në vitin 2001 misioni i OSBE-së në Kosovë ka ndihmuar me trajnimin e klasës së parë të zyrtarëve korrektues që aso kohe diplomuan nga akademia për siguri publike. 20 vite më vonë, në vitin 2021 lidershipi i Shërbimit Korrektues të Kosovës ju drejtoi misionit të OSBE-së në Kosovë me kërkesë për vazhdimin e mbështetjes e sidomos me fokus në ngritjen e kapaciteteve të menaxhmentit ekzekutiv të ShKK-së. Që nga vitit 2021 kemi pasur nderin për të ofruar mbështetje të fokusuar, trajnim për taktikat mbrojtëse, protokollet e vlerësimit për të burgosurit rishtazi dhe kërkimi i sanksioneve alternative si dhe rishqyrtimi i strategjive zhvillimore”, tha ai.

Edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano theksoi rëndësinë e institucioneve korrektuese për rehabilitimin e personave që vuajnë dënimin.

“Ato (burgjet) luajnë rol kyç për të siguruar që drejtësia të vendoset, që kryerësit të mbahen përgjegjës dhe që të rehabilitohen për të adresuar shkaktarët rrënjësore të krimeve të tilla. EULEX ka qenë partner i përhershëm i ShKK-së për 16 vite tani përmes monitorimit, mentorimit, këshilldhënies dhe aktiviteteve të tija. Kemi kontribuar në profesionalizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës drejt standardeve ndërkombëtare korrektuese. Përgjatë dekadës së fundit, EULEX i ka ndihmuar po ashtu Shërbimit Korrektues të Kosovës në profesionalizimin e disa institucioneve të reja korrektuese, duke ofruar aftësim profesional për më se 1000 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, u shpreh ai.

Ndërkaq, përfaqësuesja ambasadës amerikane, Tamra Greig përmendi mbështetjen që kanë dhënë për siguri në burgje e gjykata.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka evoluar shumë gjatë dekadës së fundit drejt krijimit të një sistemi efektiv dhe efikas që trajton të gjithë të burgosurit në hap me standardet ndërkombëtare. Bashkëpunimi dhe forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit me Policinë, Prokurorinë, Gjykatat tani ShKK është në një pozitë ku mund të konsiderohet si model në rajonin e Ballkanit…. ShBA-të së fundmi kanë dhënë si donacion teknologji për ShKK-në dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të përmirësuar në masë të konsiderueshme sigurinë në gjykata dhe në burgje”, përfundoi ai.

Pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësimin për dy rastet e vrasjeve të grave në Ferizaj dhe Pejë.

Aktualisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka 11 institucione korrektuese, prej tyre janë qendra korrektuese të tipit të hapur, dy të tipit gjysmë të hapur, gjashtë të paraburgimit dhe një institucion i sigurisë së lartë. /kp

Read Previous

Interpol zbarkon në Tiranë në qershor

Read Next

Një udhëtari nga Kosova i keqësohet gjendja në kufirin Kroaci – Serbi, niset për në spitalin e Beogradit