​Autoriteti i Konkurrencës fillon monitorimin e tregut për produktet bazike

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka njoftuar se për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut. Derisa bënë me dije se është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës.

Në njoftimin për media, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë me dije se është institucion i pavarur, i mandatuar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, për të garantuar funksionimin e tregut të lirë dhe të ndershëm në Republikën e Kosovës.

“Fushëveprimi i Autoritetit përfshin parandalimin dhe ndalimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve, keqpërdorimit të pozitës dominuese, si dhe kontrollin e përqendrimeve ekonomike, në rastet kur ato cenojnë konkurrencën në treg”, thuhet në njoftim.

Sips këtij sqarimi të lëshuar për media thuhet se autoriteti nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut. Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën”, thuhet në njoftim.

Sipas autoiritetit sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim.

“Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut. Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet tutje.

Autoriteti ka sqaruar se bazuar në nenin 49, mund të ndërmarrë masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun.

“Me vendimin për masa të përkohshme, Autoriteti urdhëron ndërmarrjen të ndalojë një veprim të caktuar ose të zbatojë masa, kushte dhe afate për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg. Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme. Autoriteti mbetet i përkushtuar për të mbrojtur konkurrencën, konsumatorin dhe funksionimin e drejtë të tregut”, përfundon njoftimi. /KosovaPress/

Read Previous

Granti i performancës, këtë vit do të ndahen 7.7 milionë euro për 12 komuna

Read Next

​Kaq është numri i personave të larguar nga Kosova deri në vitin 2023 sipas GAP-it