Një aksident me fatalitet ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në lagjen “Kodra e Trimave”, saktësisht në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, në ora 01:20 dhe kanë qenë të përfshirë dy këmbësorë dhe tri vetura, një prej të cilave ka qenë në lëvizje ndërsa dy të tjera të parkuara.
Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar tre persona, një prej tyre, këmbësor, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje ndërsa i njëjti është identifikuar si J.S., mashkull, 19 vjeç.
Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa personi i dyshuar, drejtuesi i automjetit, me vendim të prokurorit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.