​SBASHK: Orët e humbura nuk do të zëvendësohen

Greva në arsim sot hynë në ditën e tetëmbëdhjetë dhe institucionet e sindikata e arsimit, duken larg zgjidhjes së problemit. Derisa, greva po vazhdon pikëpyetje mbetet zëvendësimi i orëve të humbura. Ekspert e mësimdhënës, thonë se zëvendësimi i orëve gjatë vikendeve apo pushimeve verore, nuk është dëshmuar si efektiv. Kurse, në SBASHK, thonë se ato orë nuk do të zëvendësohen.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Arsimit të premten dhanë sinjale pozitive dhe shpresë se një marrëveshje me Qeverinë mund të arrihet gjatë vikendit. Por të shtunën u ashpërsua gjuha në mes institucioneve dhe SBASHK-ut. Në këtë të fundit thanë se do të qëndrojnë në kërkesën për 100 euro, sepse është kërkesë e gjithë anëtarësisë, të cilët nuk janë pajtuar me 50 eurot e pakos së re të Qeverisë, e cila parashihet për katër muaj.

Po në të njëjtën ditë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se situata aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojnë për vlerat antishantazh.

Gjatë 18 ditëve të grevës, ajo që është përmendur është edhe zëvendësimi i orëve. Kundër këtij zëvendësimi fillimisht doli Këshilli i Prindërve, të cilët thanë se do të bojkotojnë orët e humbura të mësimit pas përfundimit të grevës. Ndërkohë, ekspertë e mësimdhënës thonë se ky zëvendësim nuk po ka efekt.

Mësimdhënësja Florie Sejdiu nga gjimnazi natyror “Sami Frashër”, tha për KosovaPress, se orët e humbura edhe po të zëvendësohen, nuk e kanë efektin e njëjtë te nxënësit.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi”, Haki Dili tha së gjithë mësimdhënësit në këtë shkollë janë duke e respektuar vendimin e SBAShK-ut për grevë, derisa ka kërkuar nga qeveria të gjejë zgjidhje sa më shpejtë.

Ai ka shtuar se do të përpjekën që orët e humbura të kompensohen, pavarësisht që efekti nuk është i njëjtë.

Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, deklaroi se është viti i katërt ku procesi mësimor fillon me vonesë. Sipas tij, javët e humbura kanë shkaktuar një dëm të pariparueshëm në zhvillimin akademik të nxënësve. Qehaja grevën e konsideron si të pafalshme dhe të padrejtë nga ana e palëve të treta.

Sipas njohësit të arsimit, SBAShK nuk duhet ta ndërpresë mësimin për rritje të pagës.

Qehaja është shprehur se nëse vazhdon një situatë e tillë pa komunikim mes institucioneve dhe sindikatave, procesi mësimor mund të stërzgjatet me javë e muaj, derisa njëra palë të lëshojë “pe”.

Edhe për Qehajën, zëvendësimi i orëve të humbura nuk është se përcjell efektin e njëjtë të nxënësit.

Ndërkaq, SBASHK-u, janë deklaruar për KosovaPress, se nuk do të zëvendësohen orët e humbura. Anëtarja e këshillit grevist të SBASHK-ut, Luljeta Boshnajku akuzoi qeverinë për mos plotësimin e kërkesave të tyre. Ajo tha se qeveria duhet të gjejë një zgjedhje, pasi zëvendësimi i orëve të humbura nuk ka efektin e njëjtë tek nxënësit.

Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt te Ligjit te pagave, plotësim- ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagës 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave./KP/

Read Previous

Tërmeti me magnitudë 7.6 godet Papua Guinenë e Re

Read Next

Fondi i Trustit i rrezikuar, kërkojnë të merren masa urgjente