​Kurti i bën thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin për fatin e personave të zhdukur

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministrin i Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryediplomaten Donika Gërvalla dhe familjarë të të zhdukurve, bënë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Këta të fundit thanë se si familjarë janë shumë të zhgënjyer me institucionet vendor dhe ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ankthi i familjeve të personave të zhdukur vazhdon të jetë i madh, porse qëndrueshmëria e tyre është e lartë.

Ai tregoi se kanë filluar gërmimet në Kozhle të Serbisë dhe në 13 lokacione të Kosovës për të parë nëse mund të zbardhet fati i këtyre personave.

Kurti ritheksoi thirrjen e tij ndaj faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të ndërruar vendimin që arkiva e Brigadës së motorizuar37 të ushtrisë jugosllave të hapet.

Sipas tij, në këtë arkivë është e vërteta sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë.

Kurti: Iu bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi për hapjen e arkivave

“Kanë filluar gërmimet edhe në Kozhle, është një vend në Serbi, në sanxhak midis Tutinit dhe Novi Pazarit, tash të shohim se çfarë rezultatesh do të mund të kemi prej atje. Ndërkaq, këto ditë janë duke u bërë gërmime vlerësuese në 13 lokacione në Kosovë. Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i tyre i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne i kemi borxh që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pa gjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre…Në vitin 2014, para dhjetë vjetëve arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet, kjo i bie që nuk do të hapet deri në vitin 2044…Aty është e vërteta sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës. Andaj, ne iu bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar me trysni mbi Serbinë që të fillojë ky gërmim në Sangjak midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, të merret një vendim i ri dhe arkiva e brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini u shpreh i zhgënjyer me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare me atë se çfarë është bërë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Qerkini: Ndërkombëtarët nuk e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë

“Në një ditë ndërkombëtare të personave të pagjetur. Miliona njerëz sot lëshojnë lot dhe presin çka është duke ndodhur, ku edhe sot e kësaj dite ka të pa gjetur…Sa kemi bërë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer, jemi jo të kënaqur me institucionet as vendore, as ndërkombëtarë se fajin e ka Brukseli, ku ndërkombëtarët nuk e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë”, tha Qerkini.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kur janë bërë 22 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës./kosovapress/

Read Previous

Hovenier: Kapërceni mosmarrëveshjet, zgjidhni çështjen e personave të zhdukur

Read Next

Ish-lojtari i Barcelonës: Yamal talent i jashtëzakonshëm, po ndjek hapat e Messit