Trajneri i xhudos Driton Kuka ka thënë se paraqitje e Kosovës deri më tani në Lojërat Olimpike në Paris mund të cilësohet e jashtëzakonshme dhe shumë emocionale gjithashtu për të gjitha garuesit dhe trajnerët.
Ai ka lavdëruar Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun për sukseset e tyre duke thënë se përkushtimi i tyre në punë solli këto rezultate.
“Është bilanc i shkëlqyeshëm, bilanc jashtëzakonisht i mirë për Kosovën, po vazhdon një trend i medaljeve olimpike i shtetit tonë, u nis në Rio, vazhdoi në Tokio dhe tash edhe në Paris, e jashtëzakonshme, emocionuese, ditë të cilat faktikisht secila ditë në vete i ka storiet e veta, Distria e nisi bukur, shkoi deri në finale, në finale pësoi humbje por ishte e shkëlqyeshme, ajo ka hyrë në historinë e sportit të xhudos në botë, është ndër garueset e rralla, nëse jo e vetmja e cila ka medalje olimpike në të dy kategoritë e ndryshme për vajza”, tha Kuka.
Ai ka folur edhe për dështimin e Akil Gjakovës për të fituar medalje olimpike
“Akil Gjakova është ajo storia e cila mua personalisht po më bën të ndihem jashtëzakonisht me emocione negative për shkak se e meritoi medaljen olimpike, ndoshta edhe të artën. Ka luftuar si një luan, ka luftuar me masonat e xhudos botërore, ka qenë impresiv, atraktiv, të gjitha mediat kanë shkruar për performancën e tij, arriti deri në gjysmëfinale në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Kuka.
Medaljen e bronztë të fituar nga Laura Fazliu, Kuka thotë se përtej angazhimit të xhidistes nga Mitrovica, në anën e Kosovës në këtë rast ishte edhe fati, sidomos në luftën finale.
“Laura ishte e kundërta e Akilit edhe pse nuk ishte në ditën e saj të mirë edhe pse ngarkesa e madhe psiqike për të fituar medalje bëri që ajo të mos jetë më shumë se 60 përqindëshi i saj, por ajo kishte fat edhe në luftën me kanadezen ishte në nivel shumë të lartë, me kinezen fitoi me një luftë shumë të barabartë, por për një nuancë ishte më e mirë…Në luftën për medalje, një luftë e cila shkoi zhag deri në vazhdime kur kishin dyat nga dy penalizime, ndodhi një aksion i Laurës të cilin garuesja kroate e kontroi në mënyrën jo të duhur sepse kapjet për këmbë tashmë janë të ndaluara”, deklaroi më tutje Kuka.
Tejet i lumtur Kuka u shpreh edhe me përmbushjen e synimit të tij për t’i pasur pesë medalje olimpike të fituara.
“Pas fitores së Distrias e mendoja tërë kohën që mos diçka po e ndal atë dëshirën time të madhe drejtë medaljes së pestë për ta përmbushur veten, për t’i përmbushur ato rrathët olimpik, ndodhi ajo që ndodhi dhe jam shumë i lumtur, do të thotë numri pesë është përmbushur për mua si trajner por në radhë të parë për Kosovën, për shtetin tonë të ri për të cilin ne punojmë dhe veprojmë”, tha Kukan në fund.
Nga sporti i xhudos, ende nuk ka garuar xhudistja Loriana Kuka. /KosovaPress/