​Kosova pa fuqi punëtore, punëson qytetarë nga Bangladeshi

Në mungesë të fuqisë punëtore në vend, kompanitë kosovare po mundohen të bëjnë zgjidhje me punëtorë të huaj. Konsiderohet që së fundmi janë rreth 500 punëtorë nga vendet si Bangladeshi, Pakistani dhe India, të cilët kanë gjetur vetën në Kosovë.

Ata po punojnë në kompanitë e sektorit privat, pavarësisht që nuk njohin gjuhën, kulturën e as natyrën e punës.

Sipas njohësve të ekonomisë, kjo situatë është për shkak të politikave të dobëta të Qeverisë. Ata vlerësojnë se është mjerim shkëputja e dialogut publiko-privat.

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë, se qytetarët kanë humbur shpresën për punësim.

Gërxhaliu thotë se kompanitë në këtë drejtim do të detyrohen të marrin punëtorë nga vendet e ndryshme.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se gatishmëria e qytetarëve për t’u larguar është në rritje e tutje, me ç’rast shton se kompanitë do të vuajnë nga mungesa e punëtorëve.

Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve në Sektorin Privat, Jusuf Azemi konsideron se mungesa e kushteve të punës në vend, ka shkaktuar që të ketë mungesë të fuqisë punëtore në vend.

Sipas Azemit, nga janari vitit 2024 pas liberalizimit të vizave, vendi do të vuaj më shumë nga mungesa e punëtorëve.

Mes tjerash, Azemi potencon se për ata veçse kanë vendosur të lëshojnë vendin, tashmë është vonë për çdo hap tjetër në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.

Kujtojmë se nga 45% sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, kështu tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)./KP/

Read Previous

Sulmi terrorist në Banjskë, Gërvalla i kërkon BE-së t’ia ngrijë Serbisë statusin e vendit kandidat

Read Next

Kryetari i OEK-ut: Rritja ekonomike deri në 4%, tensionet në veri po i frikësojnë investitorët