Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe në Bruksel, ka thënë se janë dakorduar për targat, por që marrëveshja finale ende nuk është pranuar nga pala serbe.
Bislimi ka thënë se Kosova preferon që të mos ketë barriera ndërmjet dy shteteve, teksa ka thënë se për këtë çështje do të themelohet një grup punues që do të nisë punën nga 21 tetor.
“Kemi tentuar që të detyrojmë Serbia që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë. Mendoj që ky ka qenë rezultati i sotëm. Natyrisht se ne do të preferonim më tepër që të mos jetë asnjë barrierë, rrjedhimisht të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera. Por ky të jetë edhe objektivi i grupit punues të cilin do ta themelojmë e që do të fillojë të takohet nga data 21 tetor. Ne kemi dakordim për të gjitha pikat”, tha ai.
Bislimi ka thënë se pala serbe nuk është pajtuar me pikën ku ka të bëjë me veturat KM.
“E vetmja pikë ku pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë se nuk do duhej të aplikohen stikersat dhe kjo është absurde sepse ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të pranojmë këtë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegalë të tabelave”, tha ai
/KP/