​Komisioni për Siguri kërkon interpretim ligjor lidhur me Ligjin për Këshillin e Sigurisë

Komisioni për Çështje të Sigurisë po kërkon interpretim ligjor nga Komisioni për legjislacion lidhur me Ligjin për Këshillin e Sigurisë. Në mbledhjen e këtij komisioni u diskutuara vendimi i presidentes Vjosa Osmani për ta kthyer në rishqyrtim këtë ligj.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti, e cila ka qenë kryesuese e grupit punues, tha se në takimet qe janë mbajtur gjatë hartimit të këtij ligji nga sponsorizuesi, kanë qenë prezent përfaqësuesit e presidencës, e të cilët nuk kanë pasur vërejtje.

“Në ato vërejtje ose sugjerime thuhet që ka shkelje të Kushtetutës së Kosovës për një nen të caktuar, i cili e rregullon udhëheqjen në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme. Duke pasur parasysh që si grup punues ne i kemi shqyrtuar të gjitha këto, gjitha arsyet që kanë mundur të vijnë deri tek kjo. Dje i kam thirrur sponsorizuesit e këtij ligji në takim dhe i kam pyetur konkretisht në lidhje me këto vërejtje që presidentja i ka pasur se si ka qenë konsultimi në grup punues para se të vijë te ne. Nga sponsorizuesi më është thënë se nga takimet që i kanë mbajtur ata si grup punues, në të gjitha takimet kanë qenë prezentë edhe përfaqësuesit e presidencës. Nga katër përfaqësues të presidencës kanë marrë pjesë në çdo takim pune që kanë pasur ata”, tha ajo.

Më tej, deputetja e shumicës parlamentare kërkoi një interpretim të Komisionit për Legjislacion, se si të procedohet më tej me Ligjin për Këshillin e Sigurisë.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni tha se duhet të ketë një interpretim nga Komisioni për Legjislacion.

“Vendimi i presidentes me të gjitha qëndrimet dhe vërejtjet mendoj që duhet të merret në konsideratë nga komisioni. Tani cilat janë procedurat nuk e di a jemi ne ekspert të asaj fushe se cilat janë procedurat, këtu më duhet ndihma e koordinatorit dhe ekspertëve ligjor. Por, ne si komision mendoj që do të duhet të dalim me qëndrim që jemi të gatshëm me u marrë të gjitha vërejtjet që vijnë nga cilido autoritet, në veçanti nga autoriteti i presidencës. Po ashtu pajtohem që të marrim një interpretim nga komisioni ligjor”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha tha se partia në pushtet po dëshiron të marrë kohë lidhur me këtë ligj.

“Ka një procedurë atje që rregullon se si veprohet me një veto të presidencës. Edhe unë mendoj që ne duhet t’i përmbahemi strikt këtyre procedurave që janë të shkruara me ligj, neni 84, pika 4 e determinon saktë. E dëgjova idenë e interpretimit nga Komisioni për Legjislacion kjo është për të krijuar edhe një grimë hapësirë, nuk po të mëshoj direkt po hajde qe po ta krijojë edhe një hapësirë. Nuk e di për çfarë arsyesh apo për të ruajtur imazhin e presidentes”, përfundoi Berisha.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani mori vendim për ta kthyer në rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Këshillin e Sigurisë. Ky ligj u miratua në parlament muajin e kaluar. /KosovaPress/

Read Previous

Komisioni Anti-Korrupsion, Rama: Instrument i pazëvendësueshëm në procesin e anëtarësimit në BE

Read Next

Milan, Pulisic: E di se mund të bëjmë më mirë, por rëndësi ka fitorja