Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari, ka kërkuar arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se porosia e kushtetueses ishte që të arrihet një marrëveshje ndërmjet të gjitha subjekteve politike në Kuvend për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Sipas tij, Kuvendi është përgjegjësi e të gjithëve, ndërkaq, formimi i qeverisë së re është një tjetër veprim, ku nëse janë numrat bëhet e njëjta, kurse nëse s’ka vota për qeveri të re edhe pas dy tentimeve shkohet në zgjedhje të reja.
“Le të gjendet një marrëveshje. Kjo është porosia e Gjykatës Kushtetuese….Marrëveshje duhet të gjejnë të gjithë liderët pasi konstituimi i seancës konstituive është përgjegjësi e të gjitha grupeve parlamentare. Pastaj puna për qeveri ndryshon pasi është tjetër veprim…Nëse janë numrat krijohet nëse nuk janë kalohet te subjekti tjetër dhe nëse nuk janë shkohet në zgjedhje”, tha ai.
Këto komente Dehari i bëri në Kuvendin e Kosovës, pak para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për herë të 38-të. /KosovaPress/