​Biden e bëri të qartë –korrupsioni kërcënim për botën

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka komentuar sot urdhrin e ri të presidentit Joe Biden ku përfshihet Shqipëria dhe ish-Jugosllavia.

Ajo gjatë konferencës me temë “Përpjekje të përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri”, organizuar nga OSBE-ja në Tiranë, ka thënë se urdhri i Biden synon të kërkojë llogari ndaj atyre që shkelin të drejtat e njeriut, ndërsa ka theksuar se personat që kryejnë trafik qeniesh njerëzore do t’u ndalohet hyrja në SHBA dhe ka kërkuar që trafikantët të çohen në burg.

“Biden e ka bërë të qartë që korrupsioni dhe krime të tjera destabilizuese përbejnë kërcënime jo vetëm për SHBA, por edhe për botën. Shqipërisë për integrimin në BE nuk i kërkohet asgjë më shumë, urdhri i Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor e ngre në përparësi, në synojmë që përgjegjësit ose bashkëpunëtorët kundër abuzimit me të drejtat e njeriut të jenë pas hekurave. SHBA synon të kërkojë llogari ndaj atyre që shkelin të drejtat e njeriut. Kush kryen trafik qeniesh njerëzore i ndalohet hyrja në SHBA. Integroni viktimat e trafikimit ne shoqëri, dërgojini trafikuesit në burg. Edhe nëse keni vizë ajo nuk do ju hyjë më në punë, nëse trafikon qenie njerëzore SHBA do të ndërmarrë veprime për pronën tuaja nëse ka lidhje me SHBA-në, urdhri i Biden kërkon veprim kolektiv”, tha diplomatja amerikane.

“Presim bashkëpunimin me OSBE për të zbatuar përgjegjësitë tona për qëllimin e përbashkët, Shqipëria është në një pikë kthese, është anëtare e NATO-së, sapo fituar një vend në OKB dhe është në prag të hapjes formale të negociatave me BE-në, ky është momenti për Shqipërinë që të tregojnë udhëheqje për problematikën e trafikimit të qenieve njerëzore. Falë reformës në Drejtësi, keni profesionistët për të vendosur trafikantët pas hekurat dhe për të ndihmuar viktimat, le të punojmë së bashku për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore”, shtoi ambasadorja.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, foli për strategjinë e BE-së për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, e cila sipas synon edhe bashkëpunimin e ngushtë me vendet jo anëtare si Shqipëria.

“Më lejoni të falënderoj OSBE-në që këtë çështje vitet e fundit e kanë bërë prioritetet. Ne kemi një strategji si BE për të luftuar këtë fenomen. Kjo është një strategji e cila tashmë po shtrihet në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe ne e kërkojmë edhe nga vendet kandidate. Synimi ynë që trafikimin e qenieve njerëzore nga një krim me rrezik të ulët por me fitim të lartë ta kthejmë në një krim me fitim të ulët por me rrezik të madh. Strategjia thekson gjithashtu edhe nevojën e bashkëpunimit me vendet jo anëtare, siç është edhe Shqipëria. Sigurisht që qasja në drejtësi është shumë e rëndësishme”, tha ndër të tjera Soreca.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Romina Kuko, ambasadorja suedeze kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Anna Ekstedt, përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Valiant Richey./KosovaPress/

Read Previous

Chelsea afër transferimit të Hakimit

Read Next

Mbrëmë u hap “Festivali i Filmit Arkeologjik” me shfaqjen e dy filmave