Manchester United i shkaktoi Arsenalit humbjen e parë në sezonin e ri në ligën më të fuqishme angleze në futboll.
Skuadra vendëse fitoi takimin e mbrëmshëm në stadiumin “Old Trafford” me rezultat 3:1 (1:0).
Lojtarët vendës dominuan në pjesën e parë duke arritur te goli i parë përmes Antony në minutën e 35-të.
Mysafirët barazuan shifrat përmes Bukayo Saka në minutën e 60-të. Dukej se pas këtij barazimi Arsenali do të rikthehej në lojë për të kërkuar edhe fitoren e gjashtë radhazi, por nuk ndodhi kështu. Gjashtë minuta më vonë vendësit shënuan edhe golin e dytë, kësaj radhe, përmes Marcus Rashford.
I njëjti lojtar arriti të shënojë edhe golin e tij të dytë dhe të tretin për Manchester United në minutën 75, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të reja, të cilat e përforcojnë në pozitën e pestë tabelare me 12 pikë.
Pas gjashtë xhirosh, në tabelë kryeson Arsenal me 15 pikë, prej tyre pesë fitore dhe një humbje.