​Ambasada Amerikane jep një arsye pse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci

Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka dhënë një arsye pse Kosova dhe vendet fqinjë si Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, kanë mbetur jashtë Samitit për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara.

Nga Ambasada amerikane në Prishtinë kanë thënë për KosovaPress se jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë.

“Samiti për Demokraci i presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftim të Ambasadës.

Po ashtu nga Ambasada amerikane thonë se SHBA-ja do të punojë me Kosovën në forume të tjera, për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin.

“Siç vuri në dukje Presidenti Biden në fjalimin e tij video të gushtit, Kosova ka bërë ‘përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ duke ndërtuar një demokraci elastike dhe multietnike. Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet e tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, ka deklaruar Ambasada.

Më 9 dhe 10 dhjetor më shumë se 100 shtete janë ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mediumi amerikan Politico ka publikuar një listë me vendet që janë ftuar për pjesëmarrje, ndërsa ndonëse lista ende nuk është zyrtare aty nuk figuronte Kosova.

/KP/

Read Previous

Momente dramatike në brigjet italiane, rojet bregdetare shpëtojnë emigrantët në varkë

Read Next

Islanda rikthen detyrimin e mbajtjes së maskave mbrojtëse