Para pak minutave ka nisur intervenimi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it në Prevallë, pasi ky fshat turistik – konkretisht mali Oshlak – që nga 8 gushti ishte përfshirë nga zjarri.
Lajmi është bërë i ditur nga një banor i cili për Albanian Post tha se “intervenimi po ndodh nga ajri nëpërmjet helikopterëve”.
Në një bisedë për Albanian Post, një banor pati treguar se në këtë zonë zjarri që nga e enjtja nuk është ndalur, madje tha se rreziku ishte shtuar dhe theksoi që zjarri “është 150 metra afër shtëpive”.
Ai theksoi se zjarri kishte depërtuar edhe te një pjesë e pishave tek Parku Kombëtar. “Ky park i ka disa pisha të veçanta që vijnë turistët enkas për këto pisha”, shtoi.
Banori tregoi se tashmë është vështirë të kalohet kjo gjendje, derisa theksoi se institucionet relevante nuk janë duke e menaxhuar mirë këtë situatë.
Banori ishte shprehur i bindur se po të ndërmerreshin masa me kohë situata nuk do arrinte deri këtu.
Ai shpjegon se banorët kishin tentuar të marrin masa vetë për këtë rast, por mungesa përvojës në këso situatash ua ka pamundësuar që të ndalojnë këtë zjarr.
Por, ndryshe nga banori patën pretenduar nga Komuna e Prizrenit.
Përmes një postimi në Facebook, nga kjo komunë njoftuan se kryetari Shaqir Totaj, ka zhvilluar të martën një takim me shtabin emergjent për gjendjen me zjarre në Prevallë, derisa patën thënë se e njëjta është nën kontroll.
Park Kombëtar Sharri, i cili merret me mbikëqyrjen e fshatit turistik, Prevalla, pati kërkuar ndihmën e institucioneve të Kosovës për shuarjen e zjarrit.
Situata, sipas Parkut Kombëtar të Sharrit, ishte alarmante.
“Për shkak të konfiguracionit të terrenit me rrezikshmëri të lartë, në pamundësi të intervenimit nga toka, ftojmë të gjitha institucionet si KFOR-i, FSK-ja dhe institucionet relevante për intervenim nga ajri me Helikopter”, thuhej në reagimin e tyre.
Në të kundërtën, sipas tyre, gjendja me zjarret po merrte përmasa katastrofale dhe me rrezikshmëri të lartë./Albanianpost.com