Zhegrova luajti në ndeshjen e “yjeve”

Edon Zhegrova dhe Milot Rashica paraqiten në krahë të kundërt të fushës për Kosovën. Zhegrova mbulon krahun e djathtë të sulmit e Rashica të majtin. 

Në krahë të kundërt ishin edhe të mërkurën mbrëma në ndeshjen e “Yjeve” të organizuar nga Komuna e Prishtinës për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Ndeshja reviale përfundoi 6:6.

Rashica lëshonte herë pas here fushën, ndërsa Zhegrova luajti për 60 minuta, sa edhe zgjati ndeshja që kishte karakter bamirës.

Paraqitja për Zhegrovën në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte e para pas gjashtë muajsh. 

Zhegrova nuk ka luajtur për Lillen dhe Kosovën prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar. Ai pati telashe me muskujt aduktorë. 

Por, lëndimin e ka kaluar dhe pritet të nisë me stërvitje intensive për edicionin e ri. Tregoi formë të mirë edhe të mërkurën, ndonëse në ndeshje reviale.

Ai është shprehur i lumtur për kthimin në fushë. Vrapoi shumë. Mbulonte thuajse gjithë fushën, ndërsa shfaqi lojë të bukur edhe për shikuesit.

“Mirë, super. Si stërvitje, mirë ishte, me gjithë shokët e mi dhe familjarët që ishin këtu”, tha Zhegrova për KOHËN. 

Zhegrova po qëndron në Kosovë për pushime. Bashkë me Rashicën kanë përcjellë nga afër ndeshjet miqësore që Kosova i luajti kundër Armenisë dhe Komoreve. Asnjëri nuk ishte i grumbulluar.
Edhe Valon Berisha, që i mungoi Kosovës në miqësoret e këtij muaji, luajti në ndeshjen e “Yjeve”.

Në këtë ndeshje u paraqitën edhe Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica. Rrahmani shkëlqeu në miqësoret ndaj Armenisë dhe Komoreve. Shënoi në të dyja ndeshjet, pesë gola gjithsej.

“Unë edhe para disa viteve kur e kemi organizuar kam qenë prej të parëve që kam ardhur. Faleminderit Komunës së Prishtinës dhe kryetarit për këtë organizim. Normalisht, dihet për çfarë e kemi bërë por edhe qëllimi humanitar e ka bërë edhe më të veçantë këtë ndeshje dhe kemi arritur të mblidhemi së bashku, njerëz nga lëmi të ndryshme. Kemi mbledhur një numër të konsiderueshëm të njerëzve dhe shpresoj që të gjithë kanë kaluar mirë dhe janë kënaqur”, ka thënë Rashica për KOHËN.

Ndonëse mungoi gjatë, Edon Zhegrova tha se do të jetë gati për ndeshjet kualifikuese të Kosovës për në Botërorin e vitit të ardhshëm. 

“Për shtator do të jem gati, sigurisht”, është shprehur Zhegrova.

Kosova kampanjën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 e nis në Basel ndaj Zvicrës më 5 shtator. Më 8 shtator në Prishtinë e pret Suedinë. Ndeshjet i takojnë Grupit B. Për Zhegrovën që aktualisht është futbollist i Lillet në Francë, interesim kanë shprehur disa skuadra evropiane. Por, nuk dihet se ku do të përfundojë sulmuesi i krahut, nëse do të ndërrojë ambient. Për të ardhmen nuk ka folur as vetë ai. 

“Ta shohim një herë, nuk mund të flas asgjë”, ka thënë shkurt Zhegrova për të ardhmen. 

26-vjeçari në edicionin e kaluar luajti në 21 ndeshje. I shënoi tetë gola dhe kontribuoi me dy asistime./koha.net/

Read Previous

Nderohet figura e Bujar Bukoshit

Read Next

SHBA urdhëron evakuimin e stafit të ambasadës në Irak