Zhduken rezultatet e disa kandidatëve për deputetë

Procesi zgjedhor i 9 shkurtit ishte shoqëruar me probleme në publikimin e të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilat vazhduan edhe pas shpalljes së rezultateve. Përveç vonesave në shpalljen e rezultateve në kohë reale, në dokumentin me rezultatet e detajuara për kandidatët, mungojnë të dhënat për numrin e votave në vendvotimet e hapura më 9 shkurt për disa kandidatë të koalicionit AAK-Nisma, përfshirë njërin prej tyre që ka fituar ulëse në Kuvend

Problemet me menaxhimin e të dhënave nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e kanë shoqëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) jo vetëm ditën e zgjedhjeve, kur dështoi t’i japë në kohë reale rezultatet për subjektet politike. Mangësi janë identifikuar edhe në të dhënat e kandidatëve për deputetët.

Në dokumentin zyrtar të publikuar nga KQZ-ja, me titull “Rezultatet e detajuara për kandidatë…”, ku duhet të jenë të shënuara votat që ka marrë secili kandidat në çdo vendvotim, mungojnë plotësisht të dhënat për disa kandidatë të koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët. Nuk figurojnë të dhënat për kandidatët me numrat 18, 24, 27, 49, 73, 87, 89 dhe 102.

Të dhënat mungojnë edhe për Arbëreshë Krasniqin, e cila është zgjedhur deputete dhe i takon Nismës Socialdemokrate. Në dokumentin me të dhënat e përgjithshme ajo figuron të ketë marrë 12,138 vota.

E kontaktuar nga KOHA, Krasniqi deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtij problemi dhe nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar nga KQZ-ja.

“Unë të gjitha informacionet për votat e siguruara dhe votat prej të gjitha komunave i kam marrë në KQZ-ja, përfshirë përditësimet që kanë ndodhur”, ka thënë ajo.

KQZ-ja nuk ka ofruar sqarime lidhur me mungesën e të dhënave, pavarësisht pyetjeve të KOHËS.

E përgjigje nuk kanë kthyer as nga AAK-ja e Nisma.

Pas mbylljes së kutive të votimit më 9 shkurt kishte rënë nga sistemi edhe faqja e internetit të KQZ-së, përkatësisht vegëza ku jepeshin rezultatet në kohë reale. Prokuroria Speciale pati dhënë urdhër për nisjen e hetimeve për mënyrën e funksionimit të faqes së internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në organin e akuzës nuk kanë treguar për epilogun e hetimeve.

KQZ-së i janë dashur 46 ditë kohë për ta përmbyllur procesin zgjedhor, nga dita e zgjedhjeve e deri te certifikimi i rezultateve.

Që nga mbyllja e kutive të votimit, KQZ-ja është përballur me telashe me sistemin elektronik për publikimin e rezultateve, e probleme teknike janë evidentuar edhe gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të atyre për subjekte politike.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Zgjedhjet, procesi i numërimit të votave të deputetëve është ndarë në disa faza. Pas atij të zhvilluar ditën e votimit, në secilën prej komunave në Qendra Komunale të Numërimit, është dashur të numëroheshin votat e kandidatëve për deputetë e të verifikoheshin ato për subjekte politike.

Numërimi i tyre nisi me vonesë e fillimisht në vetëm katër komuna nga 38 gjithsej. Qendrat Komunale të Numërimit u përballën me telashe, nisur nga ato me mungesë të rrymës e ngrohjes, te problemet me sistemin, e deri te kacafytjet mes vëzhguesve e komisionerëve.

Procesin e vonuan edhe ankesat e shumta shkaku i dyshimeve për keqpërdorim me votat e diasporës dhe ato të kandidatëve brenda partive. Pakënaqësitë brenda partisë i shfaqën edhe anëtarët e LDK-së duke u ankuar për manipulim votash brenda subjektit.

KQZ-ja në një takim të mbajtur më 4 prill ka listuar problemet e identifikuara që i kanë përcjellë zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, për të cilat kanë thënë se do të adresohen javët në vijim.

KQZ-ja së shpejti do t’i duhet të nisë angazhimet për një proces tjetër zgjedhor. Në tetor bëhen 4 vjet nga zgjedhjet e fundit lokale. E bazuar në ligj, presidenti duhet t’i shpallë të rejat jo më vonë se 4 muaj e jo më herët se 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Monitorues të proceseve elektorale kanë tërhequr vërejtjen në vazhdimësi se periudha e mbetur është e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit./Koha.net

Read Previous

Uta Ibrahimi e ngjet edhe majën e 14-të më të lartë në botë

Read Next

Ky është qyteti me transportin publik më të mirë në botë