Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit, do të merret në dy ose tri ditët në vijim.
Lidhur me situatën e krijuar në veri, ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim me disa nga institucionet e sigurisë.
Këto deklarata Osmani i ka bërë në Prishtinë pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.
“Kam kërkuar raport në bazë ditore. Sot kam takim me disa institucione të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Tani janë duke më pritur në zyrë dhe është një ndër takimet e shumta qe do ta kem lidhur me situatën”.
“Në momentin që do ta marr raportin e plotë do ta kemi një pasqyrë më të qartë sa i përket çështjes së zgjedhjeve. Besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet ”, është shprehur ajo. /Telegrafi/