Zgjedhjet lokale

Komision Qendror i Zgjedhjeve më 26 qershor, do të hapë afatin për aplikim të subjekteve politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Përveç dorëzimit të aplikimit dhe plotësimit të kushteve tjera, sipas KQZ-së, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve në garën për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale.

Mijëra kandidatë pritet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit para se të certifikohen për të kërkuar votën e qytetarëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një deklarim për KosovaPress, ka thënë se për të gjitha këto, KQZ planifikuar afat prej 49 ditësh për subjektet politike. Sipas tij, është në vullnetin e subjekteve politike të vendosin se në cilat komuna do të garojnë.

“Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025”, tha Elezi.

Ai theksoi se për dallim nga koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme partia politike e regjistruar është automatikisht e certifikuar.

“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna do të garojnë dhe të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për komunat përkatëse”, tha Elezi.

I pyetur se a mund të kandidojnë personat e dënuar për vepra penale, Elezi tha se kjo çështje është e rregulluar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi.

Ndryshe, sipas Nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. /KP/

Read Previous

Trump kërcënon Iranin

Read Next

Policia Kufitare në Vlorë shpëton tetë persona të bllokuar në det