Terapia me muzikë ndihmon në përmirësimin e disponimit dhe përshpejtimin e periudhës së rikuperimit
Studimet tregojnë se muzika ka efekte të thella terapeutike në trurin e njeriut. Terapia muzikore përdoret gjithnjë e më shumë si një metodë mbështetëse në trajtimin e çrregullimeve emocionale dhe fizike, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e disponimit dhe shërimin më të shpejtë pas sëmundjeve apo ndërhyrjeve të rënda mjekësore.
Mësimi i muzikës përshpejton rikuperimin edhe pas sulmit në tru
Hulumtimet klinike kanë vërtetuar se të luajturit një instrument muzikor aktivizon pjesë të trurit të lidhura me lëvizjen, kujtesën dhe emocioneve, gjë që ndihmon pacientët në rehabilitimin pas sulmeve cerebrale. Gjithashtu, tek fëmijët me çrregullime të të nxënit, si disleksia, muzika përmirëson përpunimin e tingujve dhe perceptimin e gjuhës, duke lehtësuar të kuptuarit e fjalëve dhe leximin, transmeton Telegrafi.
E ardhmja fillon në fëmijëri: Muzika si mburojë kundër demencës
Ekspozimi ndaj muzikës dhe trajnimi muzikor që në fëmijëri lidhet me funksione më të zhvilluara kognitive në moshë të shtyrë. Sipas studimeve, njerëzit që janë marrë me muzikë që në moshë të hershme kanë më pak gjasa të zhvillojnë demencë ose sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri.
Muzika përmirëson koordinimin
Gjatë luajtjes së një instrumenti muzikor, truri përpunon njëkohësisht informacionin vizual (notat), dëgjimin dhe lëvizjet fizike të koordinuara të duarve. Ky proces kompleks stimulon lidhjet neuronale, përmirëson reagimin e trurit dhe e zhvillon ndjeshëm koordinimin sy-duar, një aftësi e rëndësishme për jetën e përditshme.
Muzika e stërvit dëgjimin
Muzikantët kanë aftësinë për të dalluar zërat dhe tonet individuale në një ambient të mbushur me zhurmë. Mësimi i muzikës ndihmon në përpunimin e detajuar të sinjaleve dëgjimore, gjë që përmirëson jo vetëm dëgjimin selektiv, por edhe të kuptuarit e të folurit në mjedise të zhurmshme, aftësi e çmuar, sidomos për fëmijët në mjediset shkollore.
Largon stresin dhe përmirëson shëndetin mendor
Të luajturit një instrument muzikor është një formë natyrale e relaksimit mendor. Muzika ndihmon në uljen e nivelit të kortizolit (hormonit të stresit), zvogëlon tensionin e gjakut dhe ndihmon në përballimin e ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të gjumit. Madje, edhe dëgjimi aktiv i muzikës qetësuese mund të ketë efekte të ngjashme.
Ushtrim për trurin: Muzika mpreh kujtesën dhe mendimin
Luajtja e një instrumenti është një nga format më të fuqishme të ushtrimit të trurit. Ajo aktivizon njëkohësisht shumë zona të trurit, përfshirë ato që lidhen me kujtesën, planifikimin dhe kreativitetin. Kjo është arsyeja pse muzikantët tregojnë performancë më të mirë në detyra që kërkojnë përqendrim dhe kujtesë afatgjatë. Gjithashtu, studimet tregojnë se muzika mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjeve degjenerative të trurit si Alzheimeri dhe demenca.
Në një kohë kur fëmijët po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë para ekraneve, një instrument muzikor nuk është thjesht një alternativë, por një investim i vlefshëm për zhvillimin e tyre emocional, mendor dhe fizik. /Telegrafi/