Zëvendësministri Ahmeti: Masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen

Zëvendësministri i Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti është optimist se në vitin 2024 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ai deklaron se raporti i juristëve eminent të KiE-së për Kosovës ka qenë pozitive dhe se s’ka asnjë kushtëzim sa i përket dialogut me Serbinë.

Diplomati Ahmeti e sheh të nevojshme që sa më shpejt t’i jepet “drita e gjelbër” Kosovës sa i përket marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ka qenë një raport i mirë për procesin e anëtarësimit. Është bërë një hap i rëndësishëm me të, pasi detyra e juristëve eminentë ka qenë t’i japin përgjigje pyetjes se: sistemi ligjor i Kosovës a është në nivelin e standardeve të Këshillit të Evropës? Përgjigjja është e qartë te përfundimet e raportit, se është dhe për më tepër tejkalon standardet ndërkombëtare…Një pjesë e rekomandimeve si duket nuk kanë pasur informacionin e duhur se ne qëndrojmë më mirë sesa çfarë rekomandohet aty. Tash nga institucionet që janë pjesë e grupit koordinues po i marrim imputet po e ndërtojmë një dokument, të cilin do ta ndajmë me Këshillin e Evropës, në mënyrë që të kemi parasysh se ku qëndron Kosova në këtë çështje. Nuk ka asnjë kriter për anëtarësim deri në raportin e juristëve eminentë, pasi ky është një element i rëndësishëm… Nuk mund të jap zotim, pasi Këshilli i Evropës nuk parasheh afate brenda procedurave të brendshme dhe kjo është vështirë të ketë parashikim të saktë. Por lëvizje jam i bindur se do të ketë”, shton Ahmeti.

Megjithatë, ai kritikon Bashkimin Evropian për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat sipas tij po e dëmtojnë vendin dhe po japin sinjal të gabuar për tërë rajonin.

“Fatkeqësisht, po. Masat, të cilat janë plotësisht të padrejta dhe që nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon. Janë masa kundër një vendi që është më demokratiku në rajon, i pari për sundimin e ligjit, i pari për reformat në drejtësi në përputhje me Komisionin e Venecias. Vendi, i cili edhe pse i fundit në kuptimin formal të procesit të anëtarësimit në BE, kemi adaptuar të gjitha pakot e sanksioneve duke përfshirë këto kundër Bjellorusisë dhe Rusisë”, deklaron ai. /KosovaPress/

Read Previous

Kurti: Targat RKS po qarkullojnë lirshëm në territorin e Serbisë

Read Next

Rriten tensionet në Azi, shkëmbim zjarri në ishujt kufitar mes Koresë së Veriut dhe Jugut