Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili është edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi ka kritikuar mënyrën sesi po zhvillohet vaksinimi në nivel vendi.
Ai ka thënë se vaksinimi nuk po ndodh sipas kritereve të cilat janë vendosur që është grupmosha dhe personat me sëmundje kronike.
“Po shohim të ri dhe të reja që në mënyrë të parregullt po vaksinohen, nuk e dinë sa qytetar janë vaksinuar në mënyrë institucionale në Kosovë. Në vendet ku jetojnë komuniteti serb dhe të tjerët fare nuk dihet sa janë vaksinuar”, ka thënë ai.
Ndërsa, Zemajt i ka reaguar kryetarja e këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku.
Ajo ka thënë se të gjithë qytetarët kanë qasje në webfaqen e ministrisë për të parë numrin e personave që janë vaksinuar.
Ndërsa, kritika ka pasur edhe nga anëtarë tjerë të këtij komisioni. Ata kanë kërkuar që sa më shpejtë t’i vizitojnë qendrat e shëndetit. /GazetaSinjali