Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Turqinë të premten për bisedime me presidentin Tayyip Erdogan mbi marrëveshjen e grurit të Detit të Zi dhe zhvillimet në luftën në Ukrainë, sipas agjencisë shtetërore “Anadolu”
Turqia dhe Kombet e Bashkuara ndërmjetësuan marrëveshjen e vitit të kaluar, e cila lejon eksportin e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, pavarësisht luftës së vazhdueshme.
Por Rusia ka kërcënuar se nuk do të lejojë rinovimin e mëtejshëm përtej 17 korrikut.
Zelensky dhe Erdogan do të zhvillojnë bisedime ballë për ballë dhe gjithashtu do të marrin pjesë në takime ndër-delegacionesh, tha Anadolu.
Kjo marrëveshje, është ndërmjetësuar në mënyrë direkte nga Ankaraja dhe ka qenë ndër më domethënëset e vendosura pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
Në këtë rrafsh, kërkesë për zgjatjen e marrëveshjes ka bërë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili më herët përballë liderëve të grupimit G20, ka kërkuar pikërisht të shihet çështja e grurit.
Kjo, pasi Kievi është ndër furnizuesit kryesorë të drithërave në botë, veçanërisht grurit, dhe një bllokim i radhës i lëndës së parë mund të çojë tregjet në ngërç dhe të sjellë rishtaz përshkallëzim të krizës.
Marrëveshja – e përshkruar nga grupet e ndihmës si një mjet shpëtimi për vendet me pasiguri ushqimore – do të skadonte të shtunën.
Fillimisht e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia korrikun e kaluar, pasi pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 nxiti një krizë globale ushqimore, pakti u zgjat në nëntor për 120 ditë.
Rreth 24 milionë tonë prodhime ukrainase janë transportuar deri më tani, mes luftës së gjithanshme të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.
Ukraina dhe Rusia prodhojnë një pjesë masive të drithërave dhe plehrave të botës, së bashku duke furnizuar rreth 28 për qind të grurit të tregtuar globalisht dhe 75 për qind të vajit të lulediellit gjatë kohës së paqes.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të enjten që të ndërmjetësojnë një rinovim të marrëveshjes për plot 12 muaj, duke paralajmëruar se kjo është e nevojshme për “të ndihmuar në shmangien e urisë në vendet më të pasigurta ushqimore”.
/albanianpost/